Trump fton zyrtarisht Putin në Uashington

schedule22:47 - 26 Tetor, 2018

schedule 22:47 - 26 Tetor, 2018

Presidenti Donald Trump ka ftuar homologun rus Putin për një vizitë në Uashington, e cila është planifikuar për vitin e ardhshëm. Këshilltari i Trump, Xhon Bolton, që i dorëzoi ftesën shefit të Kremlinit ka deklaruar ndërkohë se Rusia duhet të ndryshojë qasjen e saj në arenën ndërkombëtare.

Administrata amerikane ka ftuar zyrtarisht presidentin rus Vladimir Putin në Uashington. Lajmin e bëri të ditur këshilltari i presidentit Trump për sigurinë kombëtare, Xhon Bolton gjatë një vizite në Gjeorgji, pak ditë pas takimit me Putin në Moskë. Në samitin e zhvilluar muaj më parë në Helsinki, Trump e kishte ftuar Putin për të vizituar Shtetet e Bashkuara në vjeshtë, por vizita u shty pasi Trump u akuzua nga Kongresi se po i bënte favore Kremlinit.

“Po, e kemi ftuar presidentin Putin në Uashington”, tha Bolton në një konferencë për shtyp.

Por ende nuk dihet nëse ftesa, e vlefshme për vitin e ardhshëm, është pranuar nga presidenti rus. Ndërkohë, në një intervistë për agjencinë e lajmeve “Reuters”, Bolton kritikoi ashpër politikën e jashtme ruse, duke thënë se qasja e Moskës në arenën ndërkombëtare ishte një nga arsyet përse Uashingtoni vendosi sanksione dhe përse po mendon të vendosë të tjera.

“Do të ishte mirë nëse ata nuk do të ndërhynin më në zgjedhjet tona, nëse do të largoheshin nga Krimea, nëse nuk do të përdornin më armë kimike për të vrarë ish-agjentët e tyre dhe nëse nuk do të fusnin më hundët në Lindjen e Mesme”, tha Bolton.

Nga ana e saj, Rusia ka mohuar përfshirjen në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, dërgimin e trupave dhe pajisjeve ushtarake në lindje të Ukrainës dhe gjithashtu përgjegjësinë për helmimin e ish-spiunit Sergei Skripal dhe së bijës në Angli./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!