Trump dhe Putin do të takohen më 16 Korrik në Finlandë

schedule15:33 - 28 Qershor, 2018

schedule 15:33 - 28 Qershor, 2018

Presidenti amerikan, Donald Trump dhe ai rus, Vladimir Putin, do të takohen me 16 Korrik në Finlandë. Kjo është konfirmuar nga Shtëpia e Bardhë që nënvizon se dy liderët do të bisedojnë për marrdhëniet dy palëshe dhe për çështje të tjera. Ky takim pritet të ngjallë polemika në politikën amerikane.

Tashmë data dhe vendi janë vendosur. Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se presidenti amerikan, Donald Trump, do të takohet me homologun Rus, Vladimir Putin me 16 korrik. Takimi mes dy liderëve do të ndodhë në Helsinki të Finlandës. Vendosja e datës dhe vendit erdhi pas vizitës së këshilltarit të Trump për sigurinë kombëtare, Xhon Bolton në Moskë.

Ky zhvillim pritet të shtojë më tepër polemikat ndaj presidentit amerikan, pasi në SHBA po hetohet lidhur me dyshimet se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të 2016-s. Shtëpia e Bardhë njofton se ata do të diskutojnë për mardhëniet mes Uashingtonit dhe Moskës si dhe për një sërë çështjet të sigurisë kombëtare.

Por një fakt tjetër shqetësues është se takimi mes Trump dhe Putin do të zhvillohet vetëm 4 ditë pas samitit të vendeve anëtare të NATO-s, që mban punimet me 12 Korrik në Bruksel. Ende nuk dihet se si do të pritet ky zhvillim nga aleatët e SHBA në Aleancës ushtarake. Megjithatë shumë prej tyre kanë bërë të qartë se Rusia duhet të dënohet për agresionin që tregon.

Ndërkohë, presidenti amerikan vijon të mbrojë qëndrimin se Rusia nuk ka ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të 2016-s në SHBA. Gjithashtu ka akuzuar demokratët për manipulim dhe korrupsion. Trump asnjëherë se ka fshehur admirimin e tij për presidentin Putin, si gjatë fushatës elektorale por edhe pas marrjes së detyrës si president i Shteteve të Bashkuara. Në prononcimet e tij, Trump është shprehur se dëshiron mardhënie të mira me Rusinë. Megjithatë, në disa raste ka dëbuar diplomatë dhe ka vendosur sanksione ndaj Moskës./abcnews.al