Fushata, akuza të ashpra Trump-Biden mbi vaksinën anti-Covid

schedule08:33 - 8 Shtator, 2020

schedule 08:33 - 8 Shtator, 2020

Vaksinat Covid-19 ishin përplasja e radhës midis presidentit Donald Trump dhe Joe Biden. Biden tha të hënën se ai do të donte që të kishte një vaksinë që nesër, edhe sikur kjo t’i kushtonte rizgjedhjen. Por “nëse del një vaksinë e mirë, njerëzit do të hezitojnë ta marrin” sepse deklaratat e shpeshta keqinformuese të presidentit dhe të pavërtetat lidhur me virusin “po sabotojnë besimin e publikut”.

Trump, në një konferencë për shtyp në Shtëpinë e Bardhë tha se në kundërshtim të “gënjeshtrave politike”, çdo vaksinë e miratuar nga qeveria federale për përdorim masiv, do të jetë “shumë e sigurt dhe shumë efektive”.

Biden, e ka akuzuar presidentin Trump për sa i përket menaxhimit të pandeminë, duke shkaktuar më shumë pasiguri ekonomike dhe humbjen e miliona vendeve të punës.

Trump, nga ana tjetër, e vlerësoi punën e administratës duke parashikuar një rimëkëmbje të shpejtë të ekonomisë amerikane dhe duke deklaruar se nëse Biden, të cilin ai e quajti një “ budalla”, fiton zgjedhjet “Kina do ta ketë në dorë këtë vend”.

Papunësia në Shtetet e Bashkuara u ul në 8.4% në gusht, por ekspertët ekonomikë thonë se mund të duhen muaj për një rimëkëmbje. Biden ka siguruar mbështetjen e tre sindikatave të mëdha, të cilat së bashku përfaqësojnë qindra-mijëra punonjës në gjithë vendin.

Presidenti Trump po lufton për të ruajtur mbështetjen e veteranëve dhe atyre që shërbejnë në ushtrinë amerikane, pasi një revistë duke cituar katër burime të paidentifikuara, njoftoi se Trump u ishte referuar ushtarëve amerikanë si “humbës” dhe “dështakë” dhe refuzoi të vizitonte varret e tyre gjatë një udhëtimi në vitin 2018 në Francë./s.ba./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!