Trump dërgon bashkëpunëtorin e tij në Ballkan

schedule22:16 - 5 Shtator, 2018

schedule 22:16 - 5 Shtator, 2018

Bashkëpunëtori më i lartë i Presidentit amerikan, Donald Trump, do të vizitojë Kosovën, Serbinë, Maqedoninë dhe Greqinë javën e ardhshme. Senatori Ron Johnson do të takohet me liderët e këtyre vendeve, me të cilët do të diskutojë për marrëveshjen për emrin si dhe për dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit.

Bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradi për një marrëveshje të mundshme pajtimi është në vëmendje të Shteteve të Bashkuara, duke parë edhe propozimin për shkëmbim territori mes tyre. Por edhe referendumi për marrëveshjen mes Athinës dhe Shkupit ka peshën e saj në qeverinë amerikane.

Për këto dy çështje, senatori amerikan dhe kryesuesi i Komisionit për Siguri Kombëtare i Senatit të Shteteve të Bashkuara, Ron Johnson, do të vizitojë javën e ardhshme Greqinë, Maqedoninë, Serbinë dhe Kosovën. Kjo është konfirmuar nga ambasada amerikane në Beograd për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë.

Johnson, gjatë turneut në Ballkan, do të takohet me udhëheqësit rajonalë, tha ambasada. Ai është një nga bashkëpunëtorët e lartë të presidentit amerikan, Donald Trump, i ngarkuar me misione të posaçme.

Vizita e tij vjen në kohën kur Kosova dhe Serbia po shqyrtojnë idenë e ndryshimit të kufijve, ndërsa këshilltari për Siguri Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, John Bolton, ka thënë se SHBA-ja nuk i përjashton korrigjimet territoriale.

Megjithatë specialistë të ndryshëm dhe media ndërkombëtare kanë publikuar artikuj të ndryshëm duke theksuar rrezikun se një ndryshim kufijsh mund të sjellë një reagim zinxhir dhe mund të ndezë një konflikt të ri në Ballkan./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!