Trump aprovon masa ndëshkuese për produktet “Made in China”

schedule13:25 - 15 Qershor, 2018

schedule 13:25 - 15 Qershor, 2018

Vijon përplasja tregtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës. Sipas mediave amerikane, Trump do të aprovojë tarifa ndëshkuese për produktet e Pekinit. Tarifat do të kapin vlerën e 50 miliardë dollarëve.

Donald Trump ka aprovuar tarifa për një listë të gjatë produktesh “Made in China” për një vlerë rreth 50 miliardë dollarë. Kjo raportohet nga Wall Street Journal, që shpjegon se nuk është ende e qartë se kur do të hyjë në fuqi. Vendimi, i marrë për të ndëshkuar Pekinin që akuzohet se vjedh teknologjitë ndaj kompanive të Shteteve të Bashkuara dhe se shkel të drejtat tek prona intelektuale, rrezikon të rifillojë përsëri luftën tregtare mes Amerikës dhe Kinës.

Trump, thekson Wall Street Journal, e ka marrë vendimin pas një takimi me këshilltarët e tij më të afërt të Shtëpisë së Bardhë dhe me përgjegjësit e sigurisë kombëtare, thesarit dhe departamentit të tregtisë. Një mbledhje e cila ka zgjatur 90 minuta, ku janë konfirmuar tarifat 25% për një listë të gjatë produktesh, të cilat Kina i eksporton në SHBA. Lista është përpiluar nga ekspertë dhe prek rreth 1300 kategori produktesh “Made in China”, duke filluar që prej atyre të teknologjisë.

Ndërkohë, nga ana tjetër ka ardhur edhe një reagim nga Pekini. Kina thotë se do të përgjigjet shumë shpejt për të mbrojtur veten nëse SHBA prek interesat e saj me tarifa të reja. Kjo është bërë e ditur nga zëdhënësi i ministrisë së Jashtme. Disa kohë më parë, dy vendet kanë pasur përplasje të ashpëra lidhur me shkëmbimet tregtare. Uashingtoni dhe Pekini madje arritën dhe një marrëveshje që do t’i jepte fund luftës tregtare, por akordi u rrëzuar nga të dyja palët./abcnews.al