Presidenti amerikan Donald Trump i ka bërë thirrje emigrantëve nga Amerika Qendrore në kufi me Meksikën që të kthehen mbrapsht. “Ikni në shtëpi!”, ka shkruar Trump në profilin e tij në Twitter. Trump ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara nuk janë të përgatitura për të pritur këtë “pushtim” dhe ka paralajmëruar se nuk do ta tolerojnë atë. “Ata boll probleme po shkaktojnë në Meksikë”, ka thënë Trump, duke iu referuar protestave që nisën atje kundër emigrantëve.
Për të penguar kalimin e emigrantëve të nisur kryesisht nga Hondurasi dhe Guatemala administrata Trump ka dërguar mbi 15 mijë trupa ushtarake në kufirin jugor të Shteteve të Bashkuara. Pas zgjedhjeve të mesmandatit, më 6 nëntor, Trump kishte qëndruar në heshtje në lidhje me karvanin e emigrantëve, por mesa duket, të hënën ai nuk i rezistoi dot etiketimit “pushtues” që u ka bërë atyre. /abcnews.al