Trump anulon samitin me Kim Jong-un

schedule16:08 - 24 Maj, 2018

schedule 16:08 - 24 Maj, 2018

Rikthimi i retorikës armiqësore mes Koresë së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara ka bërë që Presidenti Donald Trump të anulojë takimin e parashikuar në qershor me Kim Jong-un. Vendimin e tij Trump ia ka komunikuar liderit korean përmes një letre.

Presidenti Donald Trump nuk do të takohet me liderin koreano-verior Kim Jong-un muajin e ardhshëm, në atë që shihej si një samit historik. Vendimin e tij për t’u tërhequr nga takimi, Trump ia ka komunikuar kreut të regjimit korean përmes një letre dërguar atij, të publikuar të enjten nga Shtëpia e Bardhë.

“Unë mezi prisja të takohesha me ju. Për fat të keq, bazuar në qëndrimet armiqësore të shprehura në deklaratat tuaja të fundit, mendoj se është e papërshtatshme, të paktën për tani, të mbajmë takimin e planifikuar”, ka thënë Trump në letër.

Prandaj, ka vijuar Presidenti, le të shërbejë kjo letër si një tregues se takimi në të mirë të dy palëve, por në dëm të botës nuk do të mbahet. Trump dhe Kim do të takoheshin më 12 Qershor në Singapor, në atë që do të ishte takimi i parë kokë më kokë mes një presidenti amerikan dhe një lideri koreano-verior.

Trump u tërhoq nga samiti pasi zëvendës ministrja koreane e Punëve të Jashtme ofendoi zëvendës presidentin amerikan Mike Pence, duke e quajtur një “derdimen politik”. Trump dhe bashkëpunëtorët e tij mbetën të irrituar nga kjo deklaratë dhe kishin në plan të reagonin me forcë, bën të ditur CNN që citon burime të afërta me situatën.

Rasti në fjalë, por edhe të tjera në dëm të Pence është ajo çfarë ka lodhur administratën amerikane, e cila mëngjesin e së enjtes përgatiti përgjigjen e saj. Të mërkurën Uashingtoni kërkoi bisedime shtesë me përfaqësues të Penianit për të patur garanci se vendi do të realizojë asgjësimin e materialit bërthamor përpara samitit.

Por disa orë më vonë, pas deklaratës së Pence se Korenë e pret një skenar libian nëse nuk pranon kushtin, regjimi deklaroi se është gati për një përballje bërthamore nëse dialogu me Shtetet e Bashkuara dështon./abcnews.al