Tronditet klubi dardan: Dy futbollistë me simptoma të koronavirusit, njëri rëndë

schedule12:38 - 7 Korrik, 2020

schedule 12:38 - 7 Korrik, 2020

Sikur të mos mjaftonin problemet në fushën e blertë, Vushtrria është goditur keq edhe nga koronavirusi. Pandemia vazhdon të infektojë njerëz të ndryshëm dhe fitimi i betejës kundër saj është shumë larg.

Ekipi i qytetit antik, që renditet në vend të parafundit në IPKO Superligën e Kosovës, barazoi 2-2 të premten në stadiumin “Fikret Aliu” kundër Flamurtarit udhëtues, duke i dhënë fund ecurisë prej gjashtë humbjesh radhazi.

Pas ndeshjes me kuqezinjtë nga kryeqyteti, dy lojtarë të Vushtrrisë kanë ndjerë shqetësime dhe janë prekur nga simptomat e COVID-19. Njëri prej tyre është në gjendje të rëndë shëndetësore dhe Bajrush Kajtazi, presidenti i klubit dardan, sqaron situatën për Insporti.

Dy futbollistë janë me simptoma të COVID-19 dhe që të dyve ua janë shfaqur pas ndeshjes së fundit me Flamurtarin. Për momentin ata janë të izoluar, por ne e kemi kuptuar vetëm pas ndeshjes, madje njëri prej tyre është në gjendje të rëndë.

Ditët në vijim pritet të testohen, por Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) duhet të marrë masa dhe të testohemi të gjithë, së bashku me dy klubet që jemi përballur dy ndeshjet e fundit, që janë Ballkani dhe Flamurtari“, deklaron kreu i Vushtrrisë.

Vushtrria është një nga qytetet më të prekura nga koronavirusi në Kosovë, teksa vetëm në ditët e para të muajit korrik janë regjistruar 39 persona të infektuar. Izair Emini i Dritës ishte futbollisti i parë dhe i vetëm që provoi koronavirusin deri tani, por sulmuesi nga Tetova e kaloi me sukses dhe iu rikthyer zanatit të shënimit të golave. /abcnews.al