Trombozat e venave të thella janë një ndër shqetësimet më të mëdha të ditëve të sotme. Dr.Bledar Hodo, kirurg kardiovaskular dhe Dr.Resmije Tozharaku, hematologe te Spitali “Hygeia” kanë folur ditën e sotme te “ABC e Mëngjesit” për diagnostikimin dhe trajtimin e këtyre trombozave. Ata kanë theksuar veçanërisht simptomat fillestare që një person mund t’i kuptojë edhe vetë si pasojë e lodhjes së tepërt, apo qendrimit në këmbë ose ulur.
Mjekët kanë bërë thirrje që të gjithë të paraqiten në spital dhe të bëjnë analizat përkatëse, në mënyrë që të kenë në kontroll këto lloj trombozash.
“Trombozat janë mpiksje gjaku që ndodhin brenda damarëve. Ne ato i ndajmë në dy kategori, sistemi arterial që furnizon trupin, organet kryesore me gjakun e pastër. Në momentin që në këto damarë, ndodh një mpiksje, një bllokim, atëherë përballet me një ishemi siç janë ato të trurit, krahëve dhe këmbëve. Ndërsa sot do të flasim për pjesën tjetër të trombozës që është sistemi i venave, i cili mbledh gjakun e papastër dhe e çon në zemër, në mushkri për ta pastruar.
Këto trombozat nuk janë të menjehershme, që të na trembin menjehërë në 24 orët e para, por në 24 orët e dyta bëhen shumë problematike. Sepse nis të fryhet këmba ose dora aty ku ndodh tromboza. Ka një mënyrë të menjëhershme, me dhimbje. Në momentin që ndodh tromboza është e madhe mund të shkojë në mushkri dhe kjo mund të bëjë pacientin të humbasë jetën pa shkuar në spital”, tha Hodo.
“Shkaqet mund t’i ndajmë në dy kategori, ato të trashëguara dhe ato të fituara gjatë jetës. Në shkaqet e lindura, një nga patologjitë që shoqërohet gjatë jetës, sidomos pas moshës 40-vjeçare, është trombofilia hereditare, është një nga patogjitë e gjakut që unë merrem si mjeke. Edhe e rëndësishme, që një pacient që paraqitet në spital, sidomos për moshat e reja, duhet të vizitohet patjetër edhe për këto dëmtime gjenetike përmes analizave të thjeshta të gjakut, për të parë nëse je mbartës apo jo i këtyre mutacioneve. Përveç këtyre kemi edhe shkaqe të fituara gjatë jetës, të cilat lidhen me stilin e jetesës. Për shembull që rrinë gjatë në këmbë, personat të cilët bëjnë udhëtime të gjata, ose personat që janë të detyruar si pasojë e një traume të jenë të imobilizuar në një periudhë kohore”, u shpreh Tozharaku./abcnews.al