Gazetarja Bleona Sari ka zbuluar detaje të reja lidhur me shpërthimin e tritolit në katin e nëntë të një banese.
Burime nga grupi hetimor thanë për gazetaren e Abc news se nga hetimet e deritanishme është zbuluar se Elena Arza e cila kishte marrë banesën me qira, është bashkëjetuesja e Bernard Sinomatit, ky i fundit është person me precedent penal. Bernardi është vëllai i Sokol Sinomatit, ish-anëtarit të bandës së “Gaxhait”, dhe xhaxhai i Gëzim Sinomatit, të ekzekutuar me snajper në Vlorë Janarin e 2024.
Ndërkohë edhe vetë Bernard Sinomati u ka shpëtuar disa atentateve. Gjithashtu, burimet bëjnë e dije se dyshohet që Sinomati dhe bashkëjetuesja e tij, Elena Arza kanë qenë në banesë dhe janë larguar pas shpërthimit. Në banesë janë gjetur sendet personale, dokumentet dhe portofoli i Bernard Sinomatit.
Grupi hetimor tha për Abc News se përveç pistës që tritoli mund të jetë hedhur me dron, ka mundësi edhe që të ketë qenë në banesë dhe ka shpërthyer aksidentalisht. / abcnews.al