Tritol lokalit në Tiranë/ Dëme materiale, pronari e kishte marrë me qira

schedule10:15 - 28 Nëntor, 2023

schedule 10:15 - 28 Nëntor, 2023

Një sasi prej 100 gram tritol, u vendos rreth orës 4:30 minuta të mëngjesit të së martës në lokalin e marrë me qira nga Armand Xhaferraj në rrugën “Sali Butka” në Tiranë.

Nga shpërthimi pati dëme të konsiderueshme materiale në lokal, për shkak se fasada e xhamit u shkatërrua plotësisht. Dëmtime patën edhe dy biznese ngjitur me lokalin e Armand Xhaferrajt.

Grupi hetimor ka marrë në pyetje 40-vjeçarin, i cili deri më tani nuk ka rezultuar të ketë precedentë të mëparshëm penale. Megjithatë nga deklaratat e tij paraprake, nuk është mundur të hidhet dritë mbi shkakun e vendosjes së tritolit në biznesin e tij. Në pyetje është marrë edhe roja i parkimit privat përballë lokalit në rrugën “Sali Butka”, për shkak se ka qenë në punë gjatë momentit kur ndodhi shpërthimi, por edhe ai në deklaratat paraprake është shprehur se nuk e ka parë autorin.

Policia ka sekuestruar disa pamje filmike në rrugën “Sali Butka”, për të rënë në gjurmët e autorëve, ndërsa biznesi i 40-vjeçarit nuk ishte i pajisur me kamera sigurie.

Grupi hetimor po punon mbi të shkuarën e Armand Xhaferrajt, si dhe nëse ka pasur konflikte të hapura kohët e fundit që mund të kenë sjellë edhe vendosjen e lëndës eksplozive në biznesin e tij./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!