Tritol banesës së gjyqtarit në Shkodër/ Karamuço: Veprime të tilla të konsiderohen si “akte terroriste”

schedule19:34 - 28 Prill, 2024

schedule 19:34 - 28 Prill, 2024

SHKODËR- Banesa e gjyqtarit, Tonin Sterkaj në qytetin e Shkodrës u trondit në orët e para të së dielës nga shpërthimi i një sasie tritoli. Policia vendore, në raportin e saj, tha se ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:13 minuta të mëngjesit.

Lënda shpërthyese ishte vendosur në portën e banesës se gjyqtarit, në lagjen “Tom Kola”, në qytetin e Shkodrës. Gjyqtari në kohën e ngjarjes ndodhej në banesë bashkë me familjen e tij.

Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço, i ftuar në “Edicionin Qendror” të lajmeve në ABC News, tha se në dy vitet e fundit janë rritur sulmet, që kanë pasur si objektiv efektivë të policisë dhe personel të gjyqësorit.

“Ka disa vite, qe intensifikohen sulmet dhe ngjarjet ndaj efektivëve të policisë dhe gjyqësorit. Ato janë kthyer në akte terroriste për t’i intimiduar dhe për t’i nënshkruar për të gjithë”, tha ai.

Ai theksoi se në Shkodër dhe në Malësi të Madhe vihet re një specifikë se  perona të caktuar kanë krijuar kartele droge, dhe në këto kushte funksionojnë për të frikësuar gjyqtarët.

“Nisur dhe nga ngjarje të tjera, ka një fenomen, që vihet re ne Shkodër dhe Malësi të Madhe të kultivimit të lëndëve narkotike dhe këto persona kanë krijuar kartele. Personi ka lëvizur me maskë, duhet parë nëse në rrugë të kryqëzuar e ka hequr maskën. Mund ta ketë pritur një makinë diku. Po hetohet për pamjet filmike”, tha ai.

Në lidhje më këtë ngjarje, Karamuço tha se grupi hetimor po kalon në sitë të gjitha informacionet e mundshme  si për punën e gjyqtarit dhe për peronat, të cilat kanë shkuar drejt një akti të tillë.

“Po hetohen rastet dhe dosjet që ka pasur gjyqtari. Dy janë çështje më madhe, nga të cilat kanë pasur probleme ne zonën e Shkodrës, e para është prona dhe ka pasur një abuzim të jashtëzakonshëm dhe pastaj kultivimi i lëndëve narkotike, i cili është përhapur në Malësi të Madhe dhe në ultësirën e Shkodrës”, theksoi ai.

Në fund të intervistës, Karamuço u shpreh se veprime të tilla duhet të klasifikohen si “akte terroriste” dhe personat që guxojnë të sulmojnë funksionarët dhe zyrtarët shtetërorë të marrin ndëshkim maksimal.

“Këto janë akte të rënë, që në kuptime të interpretimit të ligjit, duhet të kualifikohen si akte terroriste. Duhet t’u rëndohet pozita, sepse janë forma të përsëritura që po shenjtërojnë zyrtarët tanë”, shtoi ai./ n.m.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!