Politika shqiptare ka reaguar për vdekjen e Madeleine Albright, gruaja e parë sekretare e shtetit të SHBA-së dhe mike e madhe e shqiptarëve, e cila ndihmoi në drejtimin e politikës së jashtme perëndimore pas Luftës së Ftohtë.
Nëpërmjet një postimi në Twitter ish-kryetari i Partisë Demokratike shpreh ngushëllime për ikjen nga jeta të 84-vjeçares, duke vlerësuar kontributin e madh që Madeleine ka dhënë për Shqipërinë dhe Kosovën.
“U prehsh në paqe Madeleine Albright. Sekretarja e Parë femër e Shtetit në SHBA. Përgjithmonë mirënjohës për mbështetjen e saj të vendosur për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Shqiptarët nuk do ta harrojmë kurrë insitimin e saj që aleanca euroatlantike të ndërmarrë veprime vendimtare për të ndaluar gjenocidin dhe spastrimin etnik në Kosovë”, ka shkruan Basha në Twitter.
Kryeministri Edi Rama ka reaguar për ndarjen nga jeta të Sekretares së Shtetit Madalene Albright.
“Lajm i trishtueshëm ndarja nga jeta e Sekretares së Shtetit, Madalene Albright, gruaja që mbikëqyri rrugën e lirisë së Kosovës”, shkruan Rama.
Edhe Sali Berisha ka shprehur keqardhjen e tij për ndarjen nga jeta të ish-sekretares së Shtetit në SHBA.
Nëpërmjet një postimi në Facebook Berisha shpreh nderim dhe mirënjohje për miken e shquar të kombit tonë.
“Nderim dhe mirenjohje per miken e shquar te kombit tone, Madeleine Albright! Te dashur miq, ish Sekretaria e Shtetit Madeleine Albright mbylli syte pergjithmone. Zonja Albright ishte nje mike e shquar e kombit shqiptar. Ajo vizitoi disa here Shqiperine dhe Kosoven. Une kam patur rastin qe ta pres ate ne Tirane si ambasadore e SHBA ne OKB. Ne krye te diplomacise se SHBA Sekretaria e Shtetit Madeleine Albright u be promotore e fuqishme e angazhimit te diplomacise boterore dhe fuqive ushtarake te Aleances se Atllantikut te Veriut per çlirimin e dy milione shqiptareve ne Kosove. Ajo mbeti deri ne fund te jetes nje avokate e shkelqyer e Kosoves.
Me kete rast duke u perulur me nderimin me te madh dhe mirenjohjen me te thelle para kujtimit te ndritur te Sekretares Albright i lutem Zotit qe shpirti i saj i mire te gjeje paqen e merituar. Amin!”, shkruan Berisha në Facebook.
Presidenti Ilir Meta ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të ish Sekretares së Shtetit, Madeleine Albraight.
“Me hidhërim të thellë mësova për ndarjen nga jeta të një nga personaliteteve më të spikatura të politikës së jashtme amerikane, Sekretaren e Shtetit në vitet 1997-2001, Madeleine Albright. Ajo mishëronte në mënyrë të përkryer vlerat më të shkëlqyera të demokracisë amerikane.Me personalitetin e saj të jashtëzakonshëm, Zonja Albright fuqizoi rolin e gruas në politikë dhe frymëzoi gratë kudo në botë për lidership dhe barazi në vendimmarrje.
Roli i saj për Çlirimin e Kosovës dhe vendosjen e paqes së qëndrueshme në rajonin tonë ishte jetik dhe mbetet historik, duke i dhënë fund dhunimit dhe spastrimit etnik të shqiptarëve nga regjimi kriminal i Millosheviçit, në momentet më kritike për ta dhe të ardhmen e Ballkanit. Shqiptarët i janë mirënjohës veprës dhe përkushtimit të saj për vëmendjen e posaçme në forcimin e marrëdhënieve strategjike Shqipëri-SHBA.
Kam patur privilegjin e veçantë ta prisja në Tiranë, gjatë vizitës së saj zyrtare në shkurt të vitit 2000, të vijonim takimet tona zyrtare në Uashington në gusht 2000, si dhe në shumë raste të tjera, duke ndarë çaste të paharrueshme dhe duke qenë dëshmitar i përkushtimit dhe i vendosmërisë së saj për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, të paqes, stabilitetit dhe sigurisë në Ballkan. Zonja Albright nuk do të kujtohet vetëm për pozitat e larta si e para grua, por mbi të gjitha për vlerat për të cilat luftoi dhe virtytet e larta njerëzore, që dëshmoi. Ngushëllime familjareve dhe popullit amerikan për këtë humbje të madhe dhe të pazëvendësueshme! Lutem që shpirti i saj të prehet në paqen e merituar”, shkruan Meta.
Vdekja e Madeleine u u konfirmua nga familja e saj, e cila tha në një njoftim se Madeleine Albright, vdiq nga pasojat e kancerit.
“Ajo ishte e rrethuar nga familjarët dhe miqtë”, thuhet në deklaratën e shpërndarë në rrjetet sociale.
Albright ishte një figurë qendrore në administratën e Presidentit Bill Clinton, së pari shërbeu si ambasadore e SHBA në Kombet e Bashkuara përpara se të bëhej diplomatja më i lartë i vendit në mandatin e saj të dytë.
Ajo mbrojti zgjerimin e NATO-s, nxiti që aleanca të ndërhynte në Ballkan për të ndaluar gjenocidin dhe spastrimin etnik, u përpoq të reduktonte përhapjen e armëve bërthamore dhe mbrojti të drejtat e njeriut dhe demokracinë në të gjithë globin.
Muajin e kaluar pak para pushtimit rus të Ukrainës, Albright kishte thënë se udhëheqësi rus Vladimir Putin do të bënte “një gabim historik” nëse do të niste pushtimin e Ukrainës dhe paralajmëroi për kosto shkatërruese për vendin e tij.
“Në vend që t’i hapte rrugën Rusisë drejt madhështisë, pushtimi i Ukrainës do të siguronte turpin e zotit Putin duke e lënë vendin e tij të izoluar diplomatikisht, ekonomikisht të gjymtuar dhe strategjikisht të cenueshëm përballë një aleance perëndimore më të fortë dhe më të bashkuar,” shkroi Albright./abcnews.al/