Kevin Trippier u largua verën e kaluar nga Tottenham pas katër sezoneve në Londrën veriore dhe po provon për herë të parë një aventurë jashtë Anglisë. Mbrojtësi i djathtë është pjesë e Atletico Madrid dhe deri tani është aktivizuar në 26 ndeshje.
Në një prononcim për Burnley Express, 29-vjeçari zbulon dëshirën e tij të madhe. Trippier ka një kontratë deri në verën e vitit 2022 me “Colchoneros”, por karrierën do të mbyllë në Angli, me skuadrën e Burnley, aty ku është aktivizuar më parë gjatë viteve 2011-2015.
“Kam një raport shumë të mirë me Dyche (trajneri i Burnley prej vitit 2012). I ruaj akoma kontaktet me të, bisedojmë shpesh së bashku rreth futbollit dhe familjeve tona. Nëse do më krijohet mundësia, patjetër që do të kthehesha te Burnley. Kjo është skuadra e vetme për të cilën do të rikthehesha në Angli”, deklaron Trippier. /abcnews.al