Sporti shqiptar arrin një tjetër sukses të madh.
Peshëngritësja 15-vjeçare Enkileda Carja u shpall kampione e Europës në kampionatin që po zhvillohet në Moldavi. Carja konkurroi në peshën deri 59 kilogram, në Kampionatin Europian për të rinj dhe U15, duke fituar tri medalje ari. Ajo fitoi në stilin e shkëputjes, në stilin e shtytjes si dhe në dygarësh, që do të thotë një dominim absolut ndaj rivaleve.
Gjithsej, peshëngritësja nga Elbasani ngriti 184 kilogramë në dygarësh duke triumfuar me diferencë të madhe me rivalet. Në shkëputje 15-vjeçarja ngriti 84 kg dhe në shtytje 100 kg. Shqiptarja theu rekordin europian të moshës duke lënë vendin e dytë plot 21 kilogramë prapa. Një sukses i madh për sportisten e kombëtares shqiptare, të drejtuar nga trajnerja Eglantina Kalemi.
Në një moment kur lavditë e shtangës sonë, si Erkand Qerimaj dhe Briken Calja, po i afrohen kufirit kritik të moshës, Enkileda Carja jep shpresë që ajo të jetë ylli i ardhshëm.
Nëse gjithçka do të shkojë siç duhet, ajo do të nisë të fitojë medalje në kampionatet e të rriturve./ h.ll/abcnews.al