“Të pezullohet ky sezon”. Është ky konkluzioni që nxjerr trajneri italian i Partizanit, Adolfo Sormani. Në prononcimin ekskluziv për “Panorama Sport”, ai jep argumentin e tij pse ky kampionat nuk mund të luhet. “Mendoj se gjithçka do të jetë në dorë të qeverisë dhe do të varet nga mënyra se si do të manovrohet në këtë fazë të dytë të pandemisë. Me të gjithë sforcon e bërë nga qeveria deri më tani,
Adolfo Sormani është i sinqertë dhe mendon se kampionati nuk mund të vazhdojë më, duke renditur edhe arsyet pse.“Nuk mund të mendohet një nisje e stërvitjeve pa një protokoll sigurie. Jo vetëm të sportistëve, por të të gjithë njerëzve, duke qenë se lojtarët kanë pas ekipit edhe një jetë sociale me familjet e të tjerë”, thotë fillimisht trajneri italian për “Panorama Sport”.
Më tej ai përmend edhe faktorin financiar: “Nuk besoj se të gjitha ekipet shqiptare, për çështje të kostove, mund ta mbulojnë këtë protokoll, si për shembull në Serinë A italiane: tamponët, skuadra të izoluara në një ambient pranë dhomave të zhveshjeve, mjetet higjieno-sanitare etj.
Kjo më bën të mendoj se stërvitjet dhe gjithashtu nisja e kampionatit mund të shtyhet dhe koha e shtyrjes bëhet aq shumë, saqë mendoj se e bën të pamundur kohën për të përfunduar kampionatin, ndaj në mënyrë të paevitueshme mendoj se duhet pezulluar sezoni”.
Sormani flet edhe për dëmtimet që mund të pësojnë lojtarët: “Vetëm të mendosh që do të lejohen 10 ditë stërvitje për skuadrat përpara se të rinisë kampionati, besoj se diçka e tillë rrezikon shëndetin e atletëve pas një periudhe prej 2 muajsh pa aktivitet.
Ndeshja e fundit zyrtare është luajtur më datë 10 mars. Të rinisësh të luash në këto kushte është edhe shkencërisht e pamundur, duke qenë se pas urdhrit për fillimin e mundshëm të kampionatit, do të duhet të luhej çdo 3-4 ditë.
Nëse i bazohemi këtij programi, cilësia e ndeshjeve do të ishte thuajse amatoreske, sepse ritmi i lojës në fushë do të ishte i përgjumur, duke parë edhe përgatitjen e sportistëve tanë. Kjo gjë do të ishte edhe në dëm të sportdashësve, të tifozëve, por ajo që i trembem më shumë është mundësia për t’u përballur me dëmtime të shumta.
Duke marrë parasysh numrin e cunguar të futbollistëve në grup apo qoftë edhe faktin se mjaft lojtarë rrezikojnë edhe skualifikimet prej kartonëve, jam i sigurt se ndërhyrjet për kartonë, si rrjedhojë e ritmit të ulët fizik me të cilin do të përballeshin, janë të pashmangshme”.
Në fund Sormani ka edhe një thumbim: “Kërkoj falje nëse gjithmonë kam qenë i drejtpërdrejtë, por dua ta mbyll duke thënë se trajnerët që do të nxisin që të rinisim kampionatin me këto kushte, janë me shumë mundësi ata njerëz që unë kam jo vetëm garancinë, por edhe provat, që nuk kanë reshtur kurrë së stërvituri lojtarët e tyre, duke u dalë kundër edhe ligjeve të shtetit dhe nuk kanë respektuar as bashkëqytetarët e tyre”. /abcnews.al