“Trekëndëshi i Bermudës”, presidenca i përgjigjet deklaratës së Bashës në ABC: Krizat i ke shpikur vetë

schedule17:04 - 18 Nëntor, 2021

schedule 17:04 - 18 Nëntor, 2021

Zëdhënësi i presidentit Ilir Meta, Tedi Blushi i është përgjigjur kryedemokratit Lulzim Basha pas deklaratës së bërë prej tij në një intervistë për gazetarin e ABC Juxhin Mustafaraj (Lexo këtu intervistën). Blushi shkruan se ndihet i keqardhur që Basha vazhdon të përfshijë presidentin në krizat që ai shpik pa u lodhur.

Ai citon katër pika të cilat i cilëson si katërkëndëshi i përgjegjësive të tij madhore, duke nisur nga bojkoti i reformës territoriale, reformës në drejtësi, djegia e mandateve dhe zerimi i opozitës në pushtetin vendor. Blushi shprehet se Meta e pret Bashën në presidencë për çdo sqarim që ka  nevojë ndërsa me ironi shton se kur ky takim të ndodhë Basha ta pranojë përfundimisht 7 herë 7 bëjnë 49, as 42 apo 99.

“Keqardhje, që z.Lulzim Basha, vazhdon të përfshijë Presidentin e Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta, në krizat që ai vetë i shpik pa u lodhur. Për këtë arsye, i rikujtojmë z.Basha, KATËRKËNDËSHIN e përgjegjësive të tij madhore:

  1. Bojkoti i reformës administrative-territoriale;
  2. Bojkoti i reformës në drejtësi;
  3. Djegia e mandateve të deputetëve;
  4. Zerimi i opozitës në pushtetin vendor; që sollën kapjen totale të shtetit.

Megjithatë, Presidenti i Republikës vazhdon të ketë vullnetin ta mirëpresë z.Basha, për çdo sqarim apo paqartësi, në Zyrën e Tij në Institucionin e Presidentit, ku gjithmonë është mirëpritur, sa herë ka kërkuar takime dhe ndihmë për të dalë nga bojkotet dhe krizat, që i shpikte vetë. Kur z.Basha të takohet me Presidentin Meta do ta pranojë përfundimisht që 7 herë 7 bëjnë 49, as 42 apo 99.

Për Lulzim Bashën dhe çdo aktor tjetër të Partisë Demokratike, që kërkon të provokojë Presidentin e Republikës, duke i transferuar përgjegjësitë e tij për krizat dhe bojkotet, që sollën kapjen totale të shtetit, Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta ka vetëm një përgjigje: TRANSPARENCËN DHE FAKTET! Nuk besoj se ka demokrat dhe shqiptar, që beson se Presidenti Meta u ikën përgjegjësive dhe ballafaqimeve për çështje të rëndësishme të demokracisë dhe shtetit të së drejtës”, shkruan Tedi Blushi. m.v/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!