Debati për ndryshimet kushtetuese ishte temë e diskutimit mbrëmjen e së enjtes në “Log.” në “ABC” pas tre nismave të dorëzuara nga PD dhe një nga PS, që lidhet me zgjatjen e afateve të komisioneve të Vettingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Në panelin e të ftuarve në studio ishte edhe ish-deputeti demokrat Myslym Murrizi, i cili u shpreh se shqiptarët janë të rrezikshëm kur kanë pushtet absolut.
Të enjten e kaluar në parlament, Lulzim Basha e futi Sali Berishën në një “thes” me Ilir Metën dhe Edi Ramën duke i krahasuar me trekëndëshin e Bermudës, simbolin e së keqes. Por Murrizi, thotë se jo “Trekëndëshi i Bermudës”, por duhet të thyhet “pentagoni” (poligoni me pesë anë).
Por cilët janë pesë figurat që sipas ish-deputetit duhet të largohen për t’u çliruar vendi?
“Pesë veta. Se thotë Luli “Trekëndëshi i Bermudës”. Jo ore jo, duhet thyer në mes “pentagoni” (pesëshja). Këta janë pesë, jo Pentagoni në Amerikë se nuk kam takat ta thyej se është komisariati më i madh i policisë në botë. Ore “pentagoni” i këtyre këtu; Nano, Berisha, Rama, Meta dhe Basha. Ore duhen thyer.
Po përse Nano? Po flasim përgjegjësitë politikë, Nano është një nga këta pesë. Ndoshta Nano ka qenë më jetëshkurtri në pushtet. Se më jetëgjatët janë; i pari është Meta, i dyti Rama, i treti Basha. Ai nuk është “trekëndësh” por “pentagon”, që vendi të çlirohet nga kjo “penta” (pesë) duhet të largohet “pentagoni” tha ai.
Ish-drejtuesi i Prokurorisë së Apelit të Tiranës, Shkëlqim Hajdari, aktualisht kryeinspektor i përgjithshëm pranë kryeministrit duke folur për ndryshimet kushtetuese u rikthye pas në 2007, kur u zgjodh President Bamir Topi.
“Zoti Topi është zgjedhur president po e them për herë të parë, e ka thënë edhe Topi vetë në librin e tij, sepse kushtet që u krijuan në Shqipëri ishin të atilla që nuk mund të bëheshin zgjedhje të parakohshme se Kosova nuk ishte shpallur Republikë dhe ishte procesi për anëtarësimin në NATO.
Topi me mbështetjen që kishte nga brenda dhe falë presionit që Shqipëria nuk kishte përse të shkonte në zgjedhje dhe loja që bëri Fatos Nano, që bëri disa llogari dhe ndikoi te 6 deputetët që ndikuan zotin Topi President.
Procesi i cili desh të përgojohesh nga segmente të caktuara, por ai është proces i pastër politik” tha ai.
Më tej ai theksoi se kriza e 2007 ishte një argument që u përdor për ndryshimet Kushtetuese të vitit 2008, që prekën edhe zgjedhjen e Presidentit, që nëse nuk arrihen 84 vota në raundin e fundit kreu i shtetit zgjidhet me 71 vota. / Abcnews.al