Tregu i pasurive të patundshme/ Pipiria: Niveli aktual 15% mbi tatim fitimin shumë i lartë, duhet normë tjetër

schedule14:42 - 12 Korrik, 2024

schedule 14:42 - 12 Korrik, 2024

SHQIPËRI- Kredia për shtëpi u rrit për të katërtin vit radhazi në 2023, duke arritur një rekord të ri historik prej 48.5 miliardë lekësh, ose rreth 466 milionë eurosh.

Ndërkohë, të dhënat nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës flasin për një tkurrje të transaksioneve të shitblerjeve, me e theksuar paraqitet në Tiranë. Vitin e kaluar u regjistruan 35 690 transaksione, 5.8% më pak se në 2022.

Ndërkohë pak muaj më parë u hodh për konsultim publik edhe një projektligj për rivlerësim e pronave me tatim të reduktuar, çka solli dhe një optimzëm në treg se mund të çlironte sektorin e pronave.

Por ky draft nuk ka kaluar ende në Kuvend dhe qytetarët janë ende në pritje. Drejtori ekzekutiv i Shoqatës e Pasurive të Paluajtshme, Reinaldo Pipiria i ftuar në “Money Report”  tha se niveli i çmimeve të pronave është në trendin rritës.

“Nëse i referohemi edhe të dhënave të INSTAT kemi një treg rritës. Edhe këto çmime, që shfaqen çmime të rritura, duhet të jemi të kujdesshëm t’i zhveshim nga niveli I euros. Presioni i rritjes së çmimeve nuk është real, ndikon kursi i këmbimit”, tha ai.

Pavarësisht se drafti nuk ka kaluar ende në Kuvend, qeveria ka pohuar se do të bëjë sërish një rivlerësim të banesave, duke lehtësuar qytetarët nga pagesa e Tatimit mbi Fitimin 15% në momentin që shesin një pronë.

Kjo shifër për për Pipirian është shumë e lartë, ndërsa shtoi se qytetarin nuk mund ta taksosh njësojë me një sipërmarrje. Kjo normë taksimi shtoi ai duhet të jetë më e ulët, ashtu siç bëhet dhe në vendet e huaja.

“15 % është një barrë e rëndë. Nuk mund ta trajtosh qytetarin si një sipërmarrje. Duhet të këtë një normë më të ulët”, theksoi eksperti.

I pyetur për blerjet e pronave të patundshme, Pipiria u shpreh se ky sektor dominohet nga ata persona, të cilët kanë akses në sistemin bankar.

“Blejnë prona ata që kanë mundësi të aksesojnë sistemin bankar”, tha ai.

Sa i takon nivelit të qirave, drejtori ekzekutiv i Shoqatës e Pasurive të Paluajtshme u shpreh se në krahasim me vitin e shkuar nuk ka rritje të çmimeve.

“Mendoj se me të gjithë parashikimet që janë bërë nga turizmi, jemi njësoj të pakën deri tani, në krahasim me vitin e  kaluar. Nuk kemi rritje të mëtejshme. Do duhet të shikojmë në dy apo tre muajt e fundit për të parë pasi të reduktohet numri i turistëve. Qiraja vitin e shkuar ka pasur një rritje të çmimeve të qirasë me 30-35 %.”, tha ai./ abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!