Eksperti për pasuritë e paluajtshme Dritan Ballgjini thotë se tregu i banesave po shkon drejt stabilizimit sa i përket çmimeve. Në një lidhje për emisionin “Money Report” me Genta Dobra, eksperti deklaroi se gjatë pjesës së dytë të vitit që lamë pas, pati stabilizim edhe për shkak të rivlerësimit të banesave.
“6 mujori i dytë pati një impakt, ka pasur stabilizim të çmimeve, lidhur ngushtë me rivlerësimet që kanë penguar shumë transaksione që kanë qenë në proces. Në shumicë e agjensive mobiliare, ka pasur mungesë transaksionesh lidhur ngushtë me rivlerësimin. Zonat që kanë parë shtrenjtim më të madh janë zonat e lira dhe periferike të Tiranës, Astiri, Farka dhe poli i ri, Paskuqani.”, u shpreh eksperti.
Sa i përket ndikimit të Unazës së madhe të sapo hapur, ai shtoi:
“Padyshim të gjitha pikat nevralgjike që prek Unaza e madhe do të kenë rritje të çmimeve. Në Paskuqan çmimet nuk ishin më tepër se 750 euro por sot flasim që po i afrohet çmimi mesatar 1 mijë euro. E njëjta gjë ka ndodhur me Freskun, ku çmimet e apartamenteve kanë kaluar vlerën e 1 mijë eurove.”, u shpreh ai.
“Do të kemi stabilizim te çmimit por duhet të kuptojmë se Tirana është një kryeqytet që do t’i bashkohet BE. Le të shohim qendrën e Beogradit, Shkupit dhe të kuptojmë sesa larg jemi. Nuk besoj se do të kemi rritje galopante, do të shkojmë në kufijtë e inflacionit që ka sot tregu i Shqipërisë. Dhe do të shkojmë drejt stabilizimit të çmimeve. Në këtë moment po shkojmë drejt asaj që quhet stabilizim i çmimeve”, shtoi më tej eksperti./abcnews.al