Tregu dhe shkollimi/ Eksperti i punësimit jep “recetën” e suksesit: Si duhet të veprojnë të rinjtë

schedule14:50 - 25 Korrik, 2023

schedule 14:50 - 25 Korrik, 2023

TIRANË- Dilema me të cilën përballet çdo i ri është se çfarë drejtimi duhet të zgjedhë në jetën e tij. Pasi mbarojnë maturën shtetërore, të rinjtë i drejtohen universiteteve për të marrë një profesion, përmes të cilit do mund të “projektojnë” të ardhmen e tyre në tregun e punës. Por, si zgjedhin të rinjtë shqiptarë profilet e tyre arsimore?

Eksperti për çështjet e punësimit, Erald Pashaj, tha në “Sheshi i Dollarit” në ABC News se të rinjtë shqiptarë janë tradicionalë në zgjedhjet e tyre, që do të thotë se ndikohen nga profesioni i prindërve apo të afërmve të tyre. Krahas kësaj, Pashaj shtoi se ka dhe një tendencë të dytë, e cila lidhet me zgjedhjen e një dege që mendojnë se mund t’i pasurojë më shpejt kur ata të dalin në tregun e punës dhe të testojnë njohuritë e tyre.

“Pjesa më e madhe e maturantëve ndikohen nga profesionet e prindërve. Ne jemi shumë tradicionalë në ndjekjen e arsimit të lartë dhe ndjekim suksesin e prindërve. Një tendencë që ka vite është tendenca që të shkojmë në një degë që të ketë para dhe të paguhet mirë, por në të njëjtën kohë shkolla të mos jetë e vështirë. Ka një tendencë ku tek disa të rinj, të cilët janë të paqartë dhe duan të bëjnë një vit pushim”, u shpreh ai.

Ai tha se të rinjtë krahas ndikimeve nga familja, duhet fillimisht të njohin vetveten dhe aftësitë e tyre. Duke krijuar një pasqyrë më të qartë për aftësitë e tyre, Pashaj shprehet se zgjedhja e tyre do t’i ndihmojë të perfeksionohen në aftësitë e tyre.

“Ka edhe një tendencë për degë që janë të kërkuara si IT-të, mjekësia dhe arkitektura,  por edhe këto ndikohen nga një grup shoqëror. Ne ndikohemi shumë nga familja në profesionin që duhet të zgjedhim. Ata duhet të shikojnë, që përveç atyre ndikimeve, duhet të shikojnë se çfarë prirje ke si individ, sepse aftësia krijohet me kalimin e kohës”, tha ai.

Sipas tij, në të gjithë botën ekziston një prirje ku të rinjtë kërkojnë të pasurohen shumë shpejt. Ai shprehet se në profesion nuk mund të dalësh nga shkolla dhe të shkosh direjt në poste drejtuese, por shkallët e karrierës duhet të vijnë hap pas hapi, në mënyrë që rrugëtimi profesional të jetë i qëndrueshëm.

“Tendenca është të bëjmë para dhe i duam shpejt, sot që flasim në asnjë vend të botës me mbarimin e shkollës ti nuk bëhesh do drejtues, ti kur mbaron shkollën duhet të fillosh në nivelin më të ulët, dhe më pas do rritesh. Nuk ndodh që nga shkolla të kërcesh në pagën më të lartë. Kush do të punojë sigurisht. Një pjesë e madhe e të rinjve nuk duan të punojnë. Mbahen nga prindërit me para, një pjesë tjetër ka aspiratën për t’u larguar jashtë dhe këto janë disa nga arsyet, por kjo nuk do të thotë se nuk ka punë. Tendenca e gjithë botës është se i duan gjërat shpejt dhe e duan tani.  Kjo është tendenca dhe kjo i demoralizon, por ka punë, ka përmirësime të pagave. Megjithatë janë shumë më të mira seç kanë qenë përpara”, theksoi ai.

I pyetur sa afër janë programet universitare me tregun e punës, eksperti dha këtë përgjigje:

“Duhen përshtatur me kohën më shumë se sa me tregun e punës, sepse tregu i punës është shumë dinamik. Tregu i punës është më i ngushtë, por ama shkolla nuk do të thotë se ti arsimohesh për të gjetur një punë, por arsimohesh për t’u bërë njëri më i mirë. Universitetin duhet ta shohim si një fazë e zhvillimet të individit për t’u bërë më i mirë të nesërmen”, tha ai./ n.m.abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!