Tregtari serb i armëve “tallet” me SHBA-të, rrit të ardhurat që nga sanksionet. Lidhja me avionin me municione që u rrëzua në Greqi

schedule17:20 - 8 Gusht, 2022

schedule 17:20 - 8 Gusht, 2022

Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se disa kompani të lidhura me tregtarin serb të armëve, Slobodan Tesic kanë eskportuar municione drejt gjashtë firmave amerikane, përfshrië një firmë që punon me Pentagonin, pavarësisht faktit që Tesic për pesë vitet e fundit  ka qenë në ‘listën e kuqe’ të Amerikës për korrupsion dhe për shkelje të embargos së armëve.

Ky investigim tregon sesi 63-vjeçari Tesic, ka gjetur një mënyrë për t’i shpëtuar sanksioneve të SHBA-së nëpërmjet dy kompanive të regjistruara në Beograd – Valir d.o.o. dhe Zenitprom – të cilat që të dyja kanë patur rreth 10 milion euro të ardhura, që kur sanksionet e SHBA-së u shtrinë tek disa përfaqësues të tjerë të Tesic në vitin 2019.

Që nga viti 2020, Valir dhe Zenitprom, kanë eksportuar së bashku më shumë se 926 ton municione serbe drejt SHBA-së.

Në Prill të këtij viti, një dërgesë me anije e Zenitprom arriti në Global Military Products Inc., pjesë e Global Ordnance, kompani që furnizon armë dhe municione Departamentin e Mbrojtjes së SHBA-së dhe aleatët e tij, përfshirë Ukrainën.

Pentagoni nuk pranoi të komentojë mbi këtë ngjarje.

“Edhe pse nuk komentojmë dot publikisht për çështje të caktuara, qeveria e SHBA-së i merr seriozisht të gjitha akuzat për mbështetje materiale drejt njësive të sanksionura”, u shpreh Ambasada e SHBA-së në Serbi.

Marc Morales, pronari i Global Ordnance, tha se ai nuk ishte në dijeni për ndonjë lidhje ndërmjet Zenitprom dhe Tesic, dhe se gjatë periudhës të kontrollit të besushmërisë nga kompania e tij nuk është shfaqur ndonjë lidhje e tillë.

“Kompania nuk figuron në ndonjë prej listavë të Zyrës së Kontrollit për Asetet e Huaja (OFAC), dhe bashkëpunimet që ju po aludoni nuk figurojnë në ndonjë dokument zyrtar të dorëzuar tek Global Ordnance”, tha Morales.

“Në dijeninë time, askush prej kompanisë time nuk e ka takuar atë, dhe në asnjë mënyrë Global Ordnance nuk bën biznes me të. Për ta qartësuar, as unë nuk e kam takuar kurrë atë”, tha Morales në lidhje me Tesic.

Lidhja midis tyre

Për pothuajse një dekadë, Tesic kishte një urdhër ndalesë të lëshuar nga nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për të udhëtuar, për shkelje të embargos së armëve të Kombeve të Bashkuara në Liberi; në vitin 2017.

Departamenti i Thesarit të SHBA-së e sanksionoi atë, duke e pëshkruar Tesic si “një prej tregtarëve më të mëdhenj të armëve dhe të municioneve në Ballkan”, që përdor korrupsionin dhe mbështetjen financiare ndaj zyrtarëve për të siguruar kontratat e armëve.

SHBA i zgjeroi ndëshkimet ndaj njëmbëdhjetë kompanive të tjera dhe nëntë individëve të përdorur nga Tesic si përfaqësues për të anashkaluar sanksionet.

Gjithsesi, disa prej këtyre kompanive vijojnë të punojnë me shtetin serb, duke blerë armë nga prodhues vendas – shpesh me çmime të leverdisshme – për eksport botëror. Serbia ka vënë si prioritet strategjik lulëzimin e industrisë së eksportit të armëve të vendit dhe në vitin 2014, Ministria e Jashtme i dha Tesic një pasaportë diplomatike – një vit pasi Kombet e Bashkuara i hoqën pengesën për të udhëtuar.

Zenitprom u themelua më 7 Maj 2018 – një vit pas vendosjes së sanksioneve të SHBA-së ndaj Tesic – me adresë ‘Diplomatska Kolonija 14’ në Beograd.

Pronar dhe drejtor është Goran Tukic, një veteran i vjetër i kompanisë shtetërore Yugoimport SDPR për eksport-import të armëve. Por burime të ndryshmë kanë treguar për BIRN se kontrollin e vëretetë e ka Tesic.

“Ai [Tukic] u prezantua si Ortak I Tesic dhe në emër të tij ofroi të bashkëpunonte me një mikun tim të përshirë në tregtinë e armëve”, tha një burim me shumë vite përvojë në industrinë e armëve, i cili foli në kushtet e anonimatit.

Tesic nuk iu përgjigj kërkesës së BIRN për koment.

Në muajin mars të këtij viti, Zenitprom e ndryshoi adresën në Hercegovacka 16, në një ndërtim të ri të ndodhur pranë lumit të kryeqyetiti Serb, të quajur ‘Belgrade Ëaterfront’.

Tre muaj më vonë, një fondacion i quajtur “Zemrat e njerëzve” u regjistrua në adresën e mëparshme të Zenitprom. Ky fondacion figuron se drejtohet prej bashkëshortes së Tesic, Zivana, vajzës së tij, Jelena Petrovic, dhe dhëndrit Nebojsa Petrovic. Nebojsa është vëllai i Zarko Petrovic, drejtor i një kompanie të quajtur Araneks, e sanksionuar prej SHBA-së në 2019 si përfaqësuese e Tesic.

Vajza tjetër e Tesic, Danijela Vasilijevic, e cila dikur punonte për Ministrinë e Jashtme, ka gjithashtu një kompani – Emar – të regjistuar në të njëjtën adresë dhe të menaxhuar prej Fondacionit të Zemrave të Njerëzve.

Në Tetor të vitit 2020, media investigative KRIK publikoi lajmin se Vasiljevic kishte kandiduar për në parlament në vitin 2012 si përfaqësues i Partisë Progresive të Sërbisë, SNS, e cila është në pushtet që prej asaj kohe. Më pas ajo u punësua në Ministrinë e Jashtme.

Gjithashtu, kompanitë Zenitprom dhe Valir përfaqësohen të dyja nga e njëtja firmë ligjore e Tesic – zyra ligjore Acanski. Avokatja Vera Acanski ka përfaqësuar interesat e Tesic, të bashkëpunëtorëve dhe të familjes së tij prej 15 vitesh. Pesë prej këtyre kompanive janë nën sanksionet e SHBA-së si përfaqësues të Tesic – Partizan Tech, Technoglobal Systems DOO, Velkom trade, Falcon Strategic Solutions dhe Vectura Trans.

Zenitprom si fillim pati fitime modeste, duke regjistruar si të ardhura rreth  175,000 euro në vitin 2019, një vit pas themelimit. Në vitin 2020, pasi SHBA sanksionoi Tesic dhe bashkëpunëtorët e tij, Zenitprom gjeneroi më shumë se 5.5 milion euro të ardhura, dhe 34.5 milionë në vitin 2021.

Përfaqësuesit e Zenitprom nuk ishin të arritshëm për komente.

SHBA furnizon rebelët Sirian me armë nga Europa Lindore.

BIRN ka identifikuar që prej 14 nëntorit 2020, 13 dërgesa të Zenitprom me municione të kalibrit të vogël drejt katër kompanive amerikane, duke rezultuar në një total prej 698 ton armë.  I gjithë municioni u prodhua në fabrikën shtetërore ‘Prvi Partizan’ në Uzice, në Serbinë Perëndimore.

Dërgesa e fundit u krye më 19 prill të këtij viti drejt kompanisë ‘Global Military Products INC (GMP)’, një kompani vartëse e ‘Global Ordnance’, e regjistruar në Tampa, Florida.

Në muajin Shkurt, kompania  GMP deklaroi se kishte fituar një kontratë pesë vjeçare me vlerë 750 milionë USD, për të shpërndarë “municione të veçanta dhe sisteme armësh” drejt qeverisë së SHBA-së dhe aleatëve të saj. U specifikua se municone dhe sisteme armësh të tilla “nuk janë të klasifikuara sipas llojeve në inventarin e SHBA-së, por përdoren për aryse stërvitore, testime, ose dërgesa drejt aleatëve të SHBA”.

“Shumë prej tyre janë municone dhe armë të ish-bllokut Sovjetik apo jashtë NATO-s”, shtoi kompania në një deklaratë për shtyp.

GMP tha se më parë kishte dërguar më shumë se 500 milionë USD municone të veçanta dhe sisteme të armëve drejt SHBA-së dhe aleatëve të saj gjatë dekadës së fundit. Në gusht të 2021, Global Ordnance firmosi një marrëveshje bashkëpunimi shumëvjeçare me ‘Ukroboronprom’, një agjensi shtetërore Ukrainase e cila menaxhon rreth 100 sipërmarrje shtetëtore të mbrotjes.

“Global Ordnance po punon me vullnet së bashku me SHBA-në për të mbështetur Ukrainën në kohët e saj më të vështira”, tha kompania asokohe.

Në përgjigjen e tij mbi këtë ngjarje, Morales theksoi se armët që kompania e tij bleu prej Zenitprom ishin për tregun komercial të SHBA-së.

Morales ka pasur gjithashtu probleme me ligjin. Në vitin 2010 ai ishte midis 22 drejtues të kompanive të armëve, i akuzuar në SHBA për tentativë për korrupsion ndaj një ministri të qeverisë në Gabon për të fituar një kontratë armësh 15 milionë USD.

Në fakt, marrëveshja ishte pjesë e një operacioni konfidencial të FBI-së, por akuzat u hodhën poshtë në vitin 2012 kur gjykatësit nuk arritën dot në një vendim për të shtatë të pandehurit – përfshirë këtu dhe Morales – përgjatë dy proceseve gjyqësore ku në të dytin gjyqtari citoi “mangësira strukturore” në çështje.

Morales u rimëkëmb, duke krijuar Global Ordnance në vitin 2013, dhe duke u kthyer në njërin prej lojtarëve  më të rëndësishëm të linjës furnizuese të Pentagonit drejt rebelëve sirianë që luftonin kundër ISIS në Irak dhe në Siri asokohe.

Armët vijnë kryesisht prej prodhuesve të armëve në Ballkan dhe Europën Lindore.

Valir dërgon miliona plumba serb drejt SHBA-së

Valir d.o.o. qëndroi në hije derisa një avion mallrash Antonov u përplas në Greqi më 17 Korrik, i cili transportonte 11.5 ton municione sërbe në emër të kompanisë Valir drejt Bangladeshit.

Kompania Valir figuron e regjistruar në vitin 2019, dy javë pasi SHBA zgjeroi sanksionet ndaj Tesic dhe bashkëpunëtorëve të tij.

Themeluesi dhe drejtori i kompanisë është Stefan Cupkovic, i cili në 2019 gjithashtu u emërua përfaqësues i zyrave qëndrorë  ‘Elvante Limited’ të Qipros në Beograd. Goran Andric, njëri prej ortakëve më të afërt të Tesic, ishte drejtor i Elvante dhe i disa kompanive të tjera të lidhura me Tesic. Andric ishte midis atyre që u sanksionuan prej SHBA-se në vitin 2019.

Cupkovic është gjithashtu përfaqësues i Lusor d.o.o., themeluar në shtator të 2020-ës me të njëjtën adresë me kompaninë Elvante në Beograd – ‘Diplomatska Kolonija 2’, pak metra prej zyrave qëndrore të Zenitprom.

Kompania Lusor është pronë e Khaled Hamed, një shtetas i Jemenit dhe ortak i Tesic, i cili – sipas një raporti të medias investigative sërbe KRIK , fitoi shtetësinë serbe në vitin 2016 nga kryeminstri i atëhershëm dhe presidenti aktual, Aleksandar Vuçic, nëpërmjet një procedure diskrete për “interesa të veçanta kombatarë”.

Një prej përfaqësueve ligjor të mëparshëm të Valir figuron të jetë Sanja Kapetina, e cila ka përfaqësuar edhe disa kompani të tjera nën kontrollin e Tesic dhe Dikovic, përfaqësuesin ligjor të Emar, kompanisë së themeluar nga e bija e Tesic, Danijela.

Ashti si Zenitprom, edhe kompania Valir ka patur rritje të madhë që kur SHBA i zgjeroi sanksionet për të mbuluar një pjesë të përfaqësueve të Tesic. Në vitin 2019, kompania nuk pati të ardhura; në vitin pasardhës të ardhurat arritën 12.9 milionë, dhe 55 milionë në 2021.

Kompania Valir kryesisht eksporton në Azerbajxhan, Arabinë Saudite dhe SHBA.

Deri më tani, në pesë dërgesa të regjistruara drejt SHBA-së, Valir ka dërguar në total 17.5 milionë plumba tek dy klientë – ‘Nemo Arms Inc’ dhe ‘Erie Ordnance Depot LLC’. I gjithë ky municion ishte prodhuar prej kompanisë Prvi Partizan.

Një përfaqësues i Valir d.o.o., i cili nuk pranoi të identifikohet me emër, tha se aludimet rreth lidhjeve të kompanisë me Tesic ishin “histori të shpikura”. Përfaqësuesi nuk dha detaje të tjera. /BIRN