Unioni Evropian i Transmetuesve (EBU) ka shpallur 37 vendet që do të konkurrojnë në Eurovision Song Contest 2023. Ukraina dhe pesë vendet e mëdha (Gjermania, Franca, Italia, Spanja dhe Mbretëria e Bashkuar) janë kualifikuar automatikisht për finalen e madhe që do mbahet më 13 maj 2023.
31 vende do të garojnë në dy gjysmëfinale. Edicioni i 67-të do të organizohet në Liverpool, Angli, në emër të fituesve të vitit 2022, Ukrainës. Kujtojmë që nga konkursi më i madh evropian janë tërhequr Mali i zi, Maqedonia e Veriut dhe së fundmi dhe Bullgaria.
Martin Österdahl, Mbikëqyrësi Ekzekutiv i Eurovision Song Contest, tha: “Mezi presim të mirëpresim artistë nga të 37 vendet në Liverpool, qytetin e popit, majin e ardhshëm. Konkursi i vitit të ardhshëm premton të jetë një konkurs ekstra i veçantë dhe ne po punojmë shumë me BBC-në tani për të siguruar që qindra milionë shikues do të shijojnë konkursin më të mirë të këngës në Eurovizion, me Ukrainën në qendër të ngjarjes.”, tha ai.
/abcnews.al