Tre talente të rinj për Shqipërinë U21

schedule13:38 - 14 Gusht, 2018

schedule 13:38 - 14 Gusht, 2018

Shqipëria U21 pritet të ketë tre lojtarë të rinj në radhët e saj për kampionatin europian. Trajneri Alban Bushi ka gjetur tre talente nga shqiptarët e Maqedonisë.

Padyshim që pritet të jetë edhe më e fortë. Shqipëria U21 do të ketë shpejt në radhët e veta edhe 3 lojtarë të rinj, që cilësohen talente dhe që vijnë nga shqiptarët e Maqedonisë. Bëhet fjalë për Arbin Zejnullahin, Omar Imerin dhe Besir Ramadanin, të cilët mësohet se kanë pranuar ftesën e trajnerit Alban Bushi, dhe se do të shtojnë alternativat për njeriun e stolit të ekipit Shpresa. Arbin Zejnullahi u bë verën e kaluar shënuesi më i ri në moshë i Shkëndisë së Tetovës në Ligën e Europës, kur realizoi në portën e Daçias së Çisinaut.

Ai luan si mesfushor sulmues dhe është 19 vjeç. Omar Imeri, gjithashtu i Shkëndisë, është 18 vjeç, luan në krahun e djathtë të mesfushës ose të sulmit, dhe tek Shkëndija ka mbërritur nga FC Shkupi. Besir Ramadani është lojtar pikërisht i Shkupit, një mbrojtës qendre shtatlartë 1.85 metra dhe me moshë tepër të re, 18 vjeç, lindur në qershor të vitit 2000. Zejnullahi e Imeri janë aktivizuar me Maqedoninë U18, ndërsa Imeri ka arritur deri në Maqedoninë U21. Shanset janë që tre lojtarët e rinj të jenë pjesë e Shqipërisë U21 që në ndeshjen e radhës, atë të datës 6 shtator ndaj Spanjës në kampionatin europian./abcnews.al