“Tre shqiptarët e evakuuar nga Izraeli mbërritën në atdhe”, Hasani: Në gjendje të mirë shëndetësore, pritet kthimi i dy të tjerëve

schedule13:11 - 18 Qershor, 2025

schedule 13:11 - 18 Qershor, 2025

Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme ka njoftuar se ka ndjekur me vëmendje të plotë çdo hap të evakuimit të pesë shtetasve shqiptarë nga Izraeli, pas përshkallëzimit të situatës së sigurisë në rajon për shkak të sulmeve nga Irani.

Sipas njoftimit zyrtar, shqiptarët kanë mbërritur në orët e para të mëngjesit në Athinë, në gjendje të mirë shëndetësore. Deri tani, tre prej tyre janë kthyer në Shqipëri, ndërsa një tjetër pritet të mbërrijë gjatë mbrëmjes së sotme. Ndërkohë, personi i pestë do të qëndrojë në Greqi, pasi është rezident në këtë shtet.

MPJ thekson se evakuimi u bë i mundur falë një bashkëpunimi të ngushtë me ambasadat greke dhe bullgare në Tel Aviv, autoritetet egjiptiane, si dhe me mbështetjen e Konsullit të Përgjithshëm të Shqipërisë në Liban.

Shqiptarët u evakuuan fillimisht drejt Egjiptit, pas bllokimit të tyre në Izrael për shkak të përshkallëzimit të tensioneve dhe kërcënimeve të sigurisë në territorin izraelit. Ministria garanton se do të vazhdojë të ndjekë çdo zhvillim që lidhet me sigurinë e shtetasve shqiptarë në rajonet e përfshira nga konflikti. / abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!