Nga Enkeleda Bodini
I njihni tre motrat Paja? Nëse jo, mos e humbni këtë artikull. Elsa, Natasha dhe Fatma janë motra, të cilat ndajnë të njëjtin pasion për pikturën. Tingëllon çuditshëm që të treja janë piktore, por prandaj kjo botë është e bukur, prej rastësive të fatit.
Elsa, Natasha dhe Fatma janë lindur dhe rritur në Belsh, në vendin e liqeneve. Dhe në një natyrë kaq të bukur sa ka Belshi, frymëzimi të vjen ngado.
Që të vogla, Elsa dhe Natasha, të cilat janë dhe binjake, kanë kuptuar që piktura është ajo që më së shumti duan të bëjnë në jetë. Fletoret dhe librat e tyre të fillores kanë qenë plot “shkarravina” me ngjyra. Për syrin e tyre dhe për ata që e kuptojnë botën e artistëve, ato shkarravina ishin art.
“Që shumë të vogla ne i kemi pasur shumë qejf ngjyrat dhe lapsat dhe shpesh “shkarravisnim” nëpër fletore. Kemi ruajtur disa fletore që në fillore dhe janë plot me piktura dhe vizatime. Mësuesja e fillores na jepte shpesh si detyrë të pikturonim gjëra që lidheshin me mësimet që do të mernim, dhe kur shpjegonte mësimin, i përdorte pikturat si ilustrime”, thotë Natasha për abcnews.al.
Elsa, studimet e larta i ka kryer në degën Inxhinieri Matematike Informatike, ndërsa Natasha për Inxhinieri Kimike. Ndonëse këto degë nuk kanë lidhje me artin, një gjë i bashkon. Artin dhe shkencën i lidh shumë kreativiteti dhe imagjinata. Nga ana tjetër, Fatma, e cila është më e vogël se motrat binjake, vijon studimet për Arkitekturë.
Elsa dhe Natasha, kanë ecur dorë për dore në këtë rrugëtim, ndërsa më vonë ju është bashkuar dhe Fatma. Dhe, nëse jeni kuriozë të dini sesi është raporti mes tre motrave që ndajnë të njëjtin pasion, mund t’ju themi se është fantastik. Hobet i kanë të ngjashme, por stilet jo dhe aq. Dhe kjo, është mëse normale.
“Ne jemi si një grup, ndihmojmë njëra-tjetrën, duke kritikuar, duke suportuar dhe në këtë mënyrë kemi pasur mundësi për të avancuar më shpejt. Prania e njëra-tjetrës na ka ndihmuar gjithashtu për të qenë të motivuar, pasi kur rrethohesh nga njerëz që janë aktivë e punojnë fort, të vjen edhe ty dëshira për të punuar. Jemi kritike të njëra-tjetrës por në fund zgjedhim, e bëjmë gjërat që na pëlqejnë dhe si i duam. Vetëm duke qenë e lirë për të vepruar, mundesh edhe të krijosh, për të qenë autentike, dhe këtë hapësirë ja kemi lënë njëra-tjetrës”, u shprehen ato.
Që të sjellësh një pikturë të arrirë, duhet mbi të gjitha të jesh i frymëzuar, sepse pa frymëzim nuk ka art. Për motrat Paja frymëzim është natyra, dhe ka qenë pikërisht vendlindja e tyre, Belshi, që i ka bërë ato ta duan natyrën, pikturën dhe fotografinë.
“Ne jemi shumë të lidhura me natyrën dhe padyshim vendet që ka Shqipëria janë një frymëzim për ne. Shpesh pikturojmë në natyrë, nuk ka studio më të bukur e ku ndjehesh më e frymëzuar. Jeta e përditshme me njerëzit, situatat, historia janë faktorë që ndikojnë shumë në krijimtarinë tonë. Shpesh arti për ne është edhe si një formë revolte. Revoltë për gjendjen aktuale, revoltë për padrejtësitë që ndodhin. Me anë të pikturës, por jo vetëm, ne shprehim gjendjen tonë dhe realitetin, arti shërben si një lloj sensibilizimi shumë i fortë te njerëzit.
Artisti pikësëpari është njerëzor dhe shumë ndjesor, dhe nuk mund të bëhet shurdh ndaj gjërave që e rrethojnë. Me anë të artit arrin të shohësh më qartë, arrin të shohësh padrejtësitë, bën diferencën e të vërtetës dhe gënjeshtrës, të shëmtuarës dhe të bukurës. Arti ka fuqi të shndërrojë gjërat, të shndërrojë njerëzit. Artisti është fillimisht njerëzor që synon përmirësimin e gjendjes dhe pozitën e vetë njeriut”, thotë Elsa për abcnews.al.
Pikturat e motrave Paja janë ekspozuar në ekspozita kolektive, por tani po përgatiten për një (tre) personale. Deri atëherë, ato po jetojnë fort të tashmen.
Në mesazhin e tyre të fundit, tre motrat u shprehën se, të rinjtë duhet të dashurojnë atë që bëjnë, të vendosin zemrën në punën e tyre dhe puna që do të dalë, do të ndihet. Në këto kohë që po jetojmë duhet të guxosh në mënyrë që të thyesh barriera, duhet të guxosh që të avancosh, duhet të guxosh që të rritesh, të tejkalosh
frikën. Njeriu gjithmonë duhet të angazhohet për të vërtetën dhe për të drejtën./abcnews.al