Punëtorët shëndetësorë dolën në rrugë në Mianmar për të kundërshtuar dhunën e forcave të sigurisë ndaj protestuesve, të cilët janë kundër grushtit të shtetit dhe kërkojnë kthimin e një qeverie civile.
Mianmar është përballur me trazira që nga 1 shkurti pasi ushtria realizoi një grusht shteti dhe rrëzoi nga pushteti udhëheqësen, Aung San Suu Kyi.
Përgjatë kësaj kohe forcat e sigurisë kanë ushtruar dhunë sistematike ndaj protestuesve. Qindra mjekë dhe infermierë kanë mbajtur fotografitë e udhëheqëses Suu Kyi duke marshuar në Mandalay, qyteti i dytë më i madh i Mianmar, që njihet edhe si kryeqyteti kulturor i vendit.
Gati 250 të vdekur janë konfirmuar pas grushtit të shtetit, sipas Shoqatës së Ndihmës për të Burgosurit Politikë, edhe pse numri i vërtetë dyshohet të jetë më i lartë.
Më shumë se 2.300 persona të tjerë janë arrestuar. Kundërshtimi ndërkombëtar nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Europian dhe Kombet e Bashkuara deri më tani nuk ka arritur të ndalë trazirat në Mianmar.
Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian pritet të miratojnë sanksione kundër 11 zyrtarëve të juntës ushtarake në një takim të caktuar me datë 22 mars./abcnews.al

