Nga Giulia Belardelli, Huffington Post Italia
Gjashtë netë të njëpasnjëshme dhune në Belfast:Hedhje e koktejeve molotov, makina dhe mjete të transporti publik të djegura, përplasje me policinë, me pasojë plagosjen e dhjetëra njerëzve.
Qeveria e Irlandës së Veriut (PSNI) po sheh me një shqetësim në rritje veprimet e dhunshme që kanë trazuar rajonin Ulster për ditë me radhë, dhe në veçanti lagjet unioniste (pro qëndrimit me Mbretërinë e Bashkuar dhe kundër bashkimit me Republikën e Irlandës) Sandy Row dhe Newtownabbey në Belfast, ne qytetin Carrickfergus, dhe zonat Tullyally dhe Derry.
Për aktet e dhunshme fajësohen grupe ekstremiste të lidhura me qarqet unioniste, përfshirë disa të rinj që nuk i kanë përjetuar vitet e “Troubles” (Trazirave) – 3 dekadat e dhunës sektare që e përgjakën vendin deri në nënshkrimin e marrëveshjes së paqes të së Premtes së Mirë të vitit 1998 – dhe ndoshta për këtë arsye ata nuk kanë frikë se mos përfundojnë sërish në të njëjtën situatë.
Përmes një deklarate PSNI është shprehur se “të rinjtë janë inkurajuar të kryenin veprime kriminale nga të rriturit, të cilët duartrokisnin dhe inkurajonin dhunën”. Tani për tani, trazirat e reja mbeten një kërcënim, të cilin qeveria e Belfastit shpreson të jetë në gjendje që të frenojë në kohë, përmes izolimit të elementëve më ekstremistë të unionistëve, të cilët janë zemëruar nga një sërë rrethanash, të cilat analistët mendojnë se ishin ato që ushqyen protestat që degraduan në akte dhune.
Së pari, ekziston ende rivaliteti me partinë nacionaliste Sinn Féin, më e forta midis irlandezëve katolikë. Unionistët dhe protestantët u tërbuan javën e kaluar pas vendimit të policisë për të mos ndjekur penalisht 24 anëtarët kryesorë të Sinn Féin, të cilët me 30 qershor 2020 morën pjesë në funeralin e Bobby Storey, një figurë historike e Ushtrisë Republikane Irlandeze (IRA), në shkelje të hapur të masave anti-Covid.
Mbi 2 mijë njerëz morën pjesë në atë funeral, përkundër 30 persona që lejonte rregullorja e vendosur nga autoritetet për shkak të pandemisë. Një shkëndijë tjetër që nxiti trazirat e ditëve të fundit, duket se ka qenë arrestimi disa ditë më parë, i disa anëtarëve të një celule të grupit paraushtarak të Shoqatës së Mbrojtjes sëUlsterit (UDA), të përfshirë në trafikun e drogës.
Drejtues të Partisë Demokratike Unioniste (DUP), e dënuan vendimin e policisë për të mos ndjekur penalisht nacionalistët, duke folur për një standard të dyfishtë në zbatimin e ligjit, dhe duke kërkuar dorëheqjen e shefit të policisë.
Pastaj është zhgënjimi në rritje i komunitetit unionist mbi barrierat e reja tregtare të vendosura pas Brexit midis Irlandës së Veriut dhe pjesës tjetër të Mbretërisë së Bashkuar. Unionistët – besnikë ndaj Londrës edhe në zgjedhjen e tyre për t’u larguar nga BE -ndihen tani të braktisur nga Downing Street.
Me Protokollin e nënshkruar nga qeveria e Boris Johnson, dhe vendosjen de facto të një kufiri detar që ndan të gjithë Ishullin Emerald nga pjesa tjetër e Britanisë, ata ndihen më afër Dublinit sesa Londrës, jo vetëm gjeografikisht por edhe politikisht.
Disa zyrtarë lokalë, si Ministrja e Drejtësisë Naomi Long, e shpjeguan zemërimin e banorëve me “pandershmërinë” e Johnson mbi çështjen e kontrolleve kufitare pas Brexit. Sipas këtij interpretimi, unionistët e Ulsterit janë zemëruar shumë me Londrën, pasi besojnë se janë sakrifikuar për të shmangur kufirin e ashpër me Republikën e Irlandës, që nga ana tjetër do të kishte zemëruar nacionalistët katolikë irlandezë.
E sigurt është se incidentet e së mërkurës, shkaktuan një tronditje të fortë që u ndie si në Londër ashtu edhe në Bruksel. Një autobus u rrëmbye dhe iu vu zjarri shumë pranë njërit prej “mureve të paqes”në Belfast, që ndajnë komunitetet nacionaliste nga ato unioniste. Shoferi i autobusit mbeti i plagosur. Protestuesit hodhën gurë dhe kokteje molotovi ndaj policisë, ndërsa një fotoreporter u sulmua në kryqëzimin midis Lanark Way dhe Shankill Road në Belfast Perëndimor.
U dogjën goma dhe koshat e mbeturinave, ndërsa në këto skena të gueriljes urbane, morën pjesë edhe disa të rinj. Midis të arrestuarve ditët e fundit ishin edhe 2 adoleshentë13 dhe 14 vjeç. Qeveria lokale, që u mblodh të mërkurën për të diskutuar valën e dhunës, dënoi njëzëri aktet e dhunës.
Nga Londra ndërhyri edhe vetëBoris Johnson. “Dallimet zgjidhen me dialog, dhe jo me dhunë apo me akte kriminale”-shkroi kryeministri britanik në Twitter, duke shprehur “shqetësim të thellë” për ngjarjet në Belfast. Ndërkohë,Bashkimi Evropian përmes zëdhënësit të KE-së Eric Mamer deklaroi:“Dënojmë me forcë aktet e dhunës që kanë ndodhur në Irlandën e Veriut ditët e fundit. Askush nuk mund të përfitojë nga ato. Ne kërkojmë nga të gjitha palët që të distancohen menjëherë nga këto akte dhune”.
Por pavarësisht nga dënimi unanim i dhunës, partitë kryesore qeverisëse në Irlandën e Veriut kanë fajësuar njëra-tjetrën. Sinn Féin ka vënë në shënjestër Partinë Demokratike Unioniste, duke e akuzuar atë për nxitjen e tensioneve me kundërshtimin e saj të vendosur ndaj pengesave të reja tregtare, për të cilat shumë unionistë besojnë se po e dëmtojnë identitetin e tyre.
Sipas policisë, vala e sulmeve të fundit është organizuar nga formacionet e vjetra paraushtarake pro-britanike, që janë shumë të afta në përfshirjen e brezit të ri. Kjo dukuri të kujton atë të “trazirave rekreative”:trazira të shkaktuara thuajse për argëtim, ku adoleshentët qëllonin me gurë dhe molotov agjentët e policisë dhe furgonët e blinduar, dhe më pas iknin me vrap të vetëdijshëm se nuk rrezikonin që të ndiqeshin penalisht për shkak të moshës së tyre të vogël.
Sjelljet të tilla vijnë si nga tensionet sociale të pranishme në shumë lagje, por edhe nga retorika konfliktuale e protagonistëve të “Troubles”.Ajo që e ringjall më shumë këtë retorikë, është sindroma e rrethimit që ka popullata protestante e Irlandës së Veriut, besnike ndaj Londrës.
Në fakt, parlamenti i Stormont do të ripërtërihet vitin e ardhshëm. Sipas parashikimeve, Sinn Féin mund të mundë DUP, duke ia kthyer nacionalistëve supremacinë që u ka munguar që prej vitit 1921. Gjithashtu,po në vitin 2022 do të kryhet regjistrimi i popullsisë,proces në të cilin katolikët mund të jenë për herë të parë në 300 vite më të shumtë në numër sesa protestantët. Kjo do të sillte me siguri një referendum mbi të ardhmen e provincës, që mund të braktisë Londrën për t’u bashkuar me republikën e Dublinit.
Vetëm një muaj më parë, milicitë unioniste të grupuara në Këshillin e Komuniteteve Lojaliste e refuzuan marrëveshjen e së Premtes së Madhe që rivendosi paqen në rajon. Frika nga trazirat e reja po bëhet gjithnjë e më konkrete, ndërsa po merr formës skenari i një “Brexit të brendshëm”, që mund të sjellë ribashkimin e Irlandës. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

