Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me pensionistët në qytetin e Korçës, ku u shpreh se kur PS erdhi në pushtet gjeti mijëra të moshuar pa pensione për shkak se nuk kishin kontribuuar.
Gjatë fjalës së tij, ai tha se me reformën e re, shumë pensionistë marrin deri në 400 mijë lekë.
“Jeni të vëmendshëm ndaj jetës politike që më parë unë dhe ne asnjëherë nuk kemi bëë premtime për rritje pensionesh. Kemi thënë që qëllimi ynë kryesor është të rrisim pensionet, dhe më i vështiri për t’u arritur sepse mundësitë e ekonomisë kanë qenë shumë të kufizuara ndërkohë që trashëgimia në të gjitha fushat ka qenë problematike, sidomos në të pensioneve, ka qenë dramatike. Na është dashur kohë e gjatë për të gjithë ju, por jo për mënyrën se si funksionon sistemi i pensioneve. Njihet botërisht që një skemë pensionesh e ndërtuar keq, është kostoja e një brezi të tërë. Skema e pensioneve që ne trashëguam nuk ishte e ndërtuar keq, ishte skemë skandaloze dhe vetëm për të shtyrë të sotmen pa menduar për të nesërmen. Dhe jam i bindur që ju e mbani mend që kur morën detyrën, situata e pensioneve ishte pa shpresë sepse ishte vendosur një tavan që ishte 24 mijë lekë dhe pavarësisht se çfarë kontributesh kishin dhënë njerëzit, nuk mund të merrnin dot më shumë se 24 mijë.
Nuk kishte pension 24 mijë lekë në 2013 dhe pensioni mesatar në atë kohë ishte 105 euro. Pa folur për minimalin ishte një pension që s’e merrnin të gjithë pasi gjetëm dhjetëra mijëra pensionistë pa pension fare, përgjithësisht gra shtëpiake apo edhe burra që nuk kishin dhënë asnjë kontribut. Ne bëmë reformën, e cila ka bërë që tavani i atëhershëm prej 24 mijë lekësh të zhbëhet dhe sot të kemi një numër pensionesh që marrin edhe 300, 350 dhe 400 mijë lekë për shkak të kontributeve që kanë dhënë por nga ana tjetër, kemi një pasqyrë diferencimi midis mësuesve që kanë dalë në pension para 2014, dhe atyre pas 2014, dhe për shkak të reformës këta kanë pension më të lartë se ata që kanë dalë më përpara 2014. Faktet janë fakte dhe këtu në vendin tonë, ka shpërthyer një luftë me faktet dhe çdo gënjeshtër dhe opinion paraqiten si fakt. Prandaj thuhet që një skemë pensionesh është fatura e një gjenerate, për mirë apo më keq dhe kostoja më e rëndë e asaj trashëgimie është kostoja që paguajnë pensionistët. Kemi rritur volumin ekonomik të vendit me dy herë e gjysmë. Pagat janë rritur dhe qoftë në aspekt të rritjes së prodhimit të përgjithshëm apo pagave, nga të parafundit në rajon, ne sot jemi të parët në rajon për rritjen dhe në mesataren e rajonit për pagën.”, tha Rama./abcnews.al