Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për goditjen e veprimtarive kriminale, kanë finalizuar një tjetër operacion për goditjen e një rasti të tentativës për të shitur lëndë narkotike.
Si rezultat i operacionit të koduar “Valiasi”, u arrestuan në flagrancë shtetasit:
-Alban Prendi 25 vjeç, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”;
-Elsad Germaj 22 vjeç, Shaban Nikolli(Germaj), 20 vjeç (vëllezër), Erjan Perlleshi, 26 vjeç dhe Egzon Buzalli, 23 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Gjatë operacionit, bazuar në informacionet e siguruara nga burimet operative, shërbimet e Policisë kanë ndaluar në Valias, 2 automjetet e dyshuara, automjetin tip “Audi” me drejtues shtetasin Alban Prendi dhe pasagjer shtetasin Erjan Perlleshi dhe automjetin tip “Jaguar” që e ndiqte nga pas, me drejtues shtetasin Egzon Buzalli dhe pasagjerë shtetasit Elsad Germaj, Shaban Nikolli(Germaj), të cilët tentuan të largoheshin në momentin e ndërhyrjes së Policisë.
Gjatë kontrollit në automjet, shërbimet e Policisë kanë gjetur 2 pako me lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sativa, me peshë totale 5 kilogramë e 300 gramë, që dyshohet se po transportohej me qëllim shitjen. / abcnews.al