(EMRAT) Transportonin emigrantë ilegalë/ Gjirokastër, 7 të arrestuar, në kërkim një tjetër. Sekuestrohen automjete dhe para

schedule13:41 - 5 Korrik, 2025

schedule 13:41 - 5 Korrik, 2025

Në kuadër të operacionit “The Bridge”, Policia e Gjirokastrës ka arrestuar 7 shtetas dhe ka shpallur në kërkim një tjetër për trafikim të emigrantëve ilegalë. Pas një ndjekjeje të shpejtë, u arrestuan 3 shtetas që po transportonin 6 emigrantë nga Filipinet nga Tirana drejt Sarandës. Gjatë operacionit, u sekuestruan 2 automjete, 2900 euro, 40,000 lekë dhe 4 celularë.

Një tjetër operacion, “Attempt”, çoi në arrestimin e 3 shtetasve që po transportonin 12 emigrantë nga Pakistan. Ata u kapën pas një ndjekjeje, kur nuk i respektuan urdhrin e Policisë për të ndaluar. Nga ky operacion, u sekuestruan 3 automjete, 1900 euro dhe 4 celularë. Hetimet vijojnë për kapjen e një shtetasi tjetër të shpallur në kërkim.

NJOFTIMI I POLICISE

“Në kuadër të operacionit të koduar “The brigde”, u arrestuan në flagrancë shtetasit Altin Delija, Klajdi Toshkollari, u ndalua shtetasi Henri Ranci si dhe u shpall në kërkim shtetasi Klei Çela, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim.

2 automjeteve që drejtonin këta shtetas iu është bërë shenjë për të ndaluar, në vendin e quajtur “Ura e Kardhiqit”.

Drejtuesit nuk i janë bindur urdhrit por kanë vijuar me shpejtësi lëvizjen. Menjëherë, shërbimet e Policisë u vënë në ndjekje dhe si rezultat bënë të  mundur kapja e 3 shtetasve. Nga kontrollet, në automjetin që drejtonte shtetasi A. D., u gjetën 6 emigrantë nga Filipinet, të cilët po i transportonin nga Tirana në drejtim të Sarandës, kundrejt fitimit. Nga hetimet dyshohet se shtetasi i arrestuar K. T., dhe 17-vjeçari, kontrollonin rrugën për të sinjalizuar prezencën e Policisë.

Gjithashtu nga hetimet rezultojnë që kanë qenë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale dhe shtetasi i ndaluar H. R., dhe shtetasi i shpallur në kërkim K. Ç., për të cilin punohet për kapjen e tij.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 automjete, 2900 euro, 40 000 lekë, si dhe 4 celularë.

Në kuadër të operacionit të koduar “Attempt” u arrestuan në flagrancë shtetasit Ardit Koçi, Daniel Muçollari dhe Emanuel Ferra, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim.

Të 3 këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në vendin e quajtur “Kthesa e Jorgucatit”, gjatë tentativës për të transportuar 12 emigrantë nga Pakistani, janë lokalizuar nga shërbimet e Policisë, të cilët iu kanë bërë shenjë për të ndaluar. Drejtuesit e automjeteve nuk i janë bindur urdhrit por kanë vijuar me shpejtësi lëvizjen. Menjëherë, shërbimet e Policisë, iu janë vënë në ndjekje dhe si rezultat është bërë e mundur kapja e 3 shtetasve.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 3 automjete, 1900 euro, si dhe 4 celularë. “/ abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!