Barcelona po vuan në këtë fillim sezoni. Kampionët e Spanjës dështuan në trasfertën e së shtunës përballë Granadës dhe kritikat ndaj ekipit dhe trajnerit janë shtuar.
Humbja 2-0 ishte e dyta në këtë kampionat dhe transferta e tretë radhazi pa fitore. Diçka e tillë kishte ndodhur për herë të fundit në sezonin 1994/1995.
Ekipi i Valverdes humbi përballë Athletic Bilbao në transfertën e parë, më pas barazoi 2-2 kundër Osasunës dhe tani tjetër dështim përballë Granadës.
Kjo është hera e parë në 25 vite që Barcelona nuk arrin të fitojë një nga 3 transfertat e para të sezonit. Një rekord negativ, por është vetëm fillimi i sezonit.
Messi me shokë e dinë që ka ardhur momenti i reagimit dhe dy ndeshjet në kampionat kundër Villareal dhe Getafes duhen fituar për të shkuar në përballjen evropiane kundër Interit me moral të lartë. /abcnews.al