Pandemia ka ndikuar që sezonet e këtij viti në futboll të zgjateshin shumë dhe të përfundonin vonë. Diçka e tillë ka pasur efekt edhe në sfidat e kompeticioneve evropiane, që po luhen me një takim dhe jo dy si më parë.
Shorti i buzëqeshi Kukësit dhe Teutës disi, pasi do i luajnë duelet e Europa League në shtëpi. Ndryshe ndodhi me kampionët e Tiranës dhe Laçin. Bardheblutë do të përballen me Dinamo Tbilisi në kryeqytetin e Gjeorgjisë në sfidën e turit të parë në Champions League.
E njëjta gjë edhe për ekipin kurbinas, që do të tentojë të eliminojë Keshlan në Azerbajxhan dhe të kalojë në turin e dytë të Europa League.
UEFA ka vendosur që skuadrat që luajnë jashtë do të udhëtojnë me charter për arsye sigurie, teksa ka menduar edhe aspektin financiar. Qeveria Evropiane e Futbollit do të rimbursojë një pjesë të shpenzimeve, me Tiranën dhe Laçin që do të përfitojnë nga 40 mijë euro. /abcnews.al