Brenda këtij viti Himara do të ketë një impiant të ri për trajtimin e ujërave të ndotura. Zv.kryeministrja njëherësh ministre e Infrastrukturës inspektoi punimet në terren .
Përmes këtij projekti parashikohet të mbulohen të gjitha subjektet tregtare që janë pjesë e bregdetit, si dhe 80% të volumit të banesave individuale. Në fazën e parë, kapaciteti i impiantit është për 16 mijë banorë, ndërkohë që në fazën e dytë shkon deri në 24 mijë banorë.
Zv.kryeministrja Belinda Balluku theksoi se gjatë këtij viti priten më shumë turistë ndërsa u bëri apel subjekteve që të mos abuzojnë me çmimet.
Në bashkinë e Himarës është duke u zbatuar projekti “Furnizimi me ujë i zonave rurale IV” i cili ka për qëllim përmirësimin e infrastrukturës së furnizimit me ujë dhe kanalizimeve.
Projekti parashikon sistemimin, grumbullimin dhe trajtimin e ujërave të ndotur duke përfshirë edhe përmirësimin e kapaciteteve menaxhuese.
/abcnews.al