Trajtimi i Covid-19 në shtëpi, Prokuroria nis hetimet për shitjen online të bombolave të oksigjenit

schedule11:50 - 18 Nëntor, 2020

schedule 11:50 - 18 Nëntor, 2020

Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për shitjet online, të bombolave të oksigjenit.

Mosparaqitja e të infektuarave me koronavirus në spitale për tu kuruar, dhe marrja e mjekimit në kushte shtëpie, ka detyruar institucionin e akuzës të verifikojë të gjitha faqet online ku shiten aparatura oksigjeni, pasi pjesa më e madha e tyre dyshohet se i kryejnë shitjet në mënyrë të jashtëligjshme dhe se bombolat e oksigjenit janë çdo lloj standardi për kurimin e të sëmurëve.

Çmimi i një aparati oksigjeni në faqe të ndryshme online varion 500-800 euro.

Por, ata jepen edhe me qira ditore, vlera e të cilëve shkon 100-120 euro.

Siç raporton gazetarja e “ABC” Glidona Daci, indicien e parë për nisjen e hetimeve të aparaturave të oksigjenit që shiten online, institucioni i akuzës e mori tri javë  më parë, pas kallëzimit të dy vëllezërve, të cilët për babanë e tyre të infektuar me virusin e rrezikshëm fillimisht përdorën aparatura oksigjeni që kishin blerë në Facebook.

Ata në kallëzimin e tyre, shprehen se babanë e çuan në spital, 4 ditë para se ai të ndërronte jetë.

Gjithashtu, prokuroria është duke hetuar edhe rastin e së dielës, ku një të moshuari i shpërtheu bombula e oksigjenit, duke i shkaktuar atij dëmtime të rënda.

Mësohet se në këtë banesë u gjetën edhe dy bombula të tjera oksigjeni, të cilat dyshohet se janë blerë nga familjarët e tij në mënyrë private.

Nisur nga situata e rëndë që po kalon vendi ditët e fundit, për shkak të rritjes së numrit të të prekurve me COVID-19, ata që po përfitojnë nga kjo situatë janë faqet online, që shesin bombola apo aparatura oksigjeni.

Kujtojmë se disa ditë më parë Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manasterliu, në një deklaratë për mediat u bëri apel qytetarëve që mos të binin pre e abuzimeve për sa i përket marrjes së trajtimit ambulator në shtëpi, pasi oksigjeni nuk mund të përdorej në kushte shtëpie pa asistencën e nevojshme.

n.d./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!