Trajnerja iraniane e skive nuk shkon në Botëror: Bashkëshorti e ndalon të udhëtoje

schedule11:39 - 18 Shkurt, 2021

schedule 11:39 - 18 Shkurt, 2021

Sipas ligjeve në fuqi në Iran, është bashkëshorti ai që vendos nëse bashkëshortja e tij mund të udhëtojë jashtë vendit. Në këtë mënyrë trajnerja e ekipit femëror të skive nuk ka mundur të shoqërojë atletet e ekipit të saj në kampionatin botëror që zhvillohet në Itali, pasi bashkëshorti i saj nuk e ka lejuar.

Samira Zargari, trajnerja e skuadrës femërore iraniane të skive, nuk ka mundur të shoqërojë atletet e saj në kampionatin botëror në Kortina të Italisë. Kjo sepse bashkëshorti i saj e ka ndaluar të largohet nga vendi, duke qenë se një vendim i tillë i lejohet nga ligjet në fuqi në republikën islamike. Ngjarja është kthyer në një çështje, madje dhe zyrtarët e lartë të federatës iraniane u përpoqën t’i ndryshojnë mendjen bashkëshortit të saj.

Sipas ligjeve në fuqi në Iran, gratë duhet të kenë lejen e bashkëshortëve të tyre për të pasur një pasaportë. Por dhe nëse kanë dokumentet e duhura, bashkëshortët mund t’i ndalojnë të udhëtojnë.

Në faqen zyrtare të federatës iraniane të skive është publikuar lista e delegacionit që është nisur për në Itali dhe në vend të trajneres është shënuar emri një anëtareje të ekipit kombëtar të skive.

Samira Zargari nuk është atletja e parë iraniane që ndalohet nga bashkëshorti për të marrë pjesë në gara ndërkombëtare. Para saj e njëjta gjë kishte ndodhur në vitin 2015, me Nilufar Ardalan, kapitene e kombëtares femërore të futbollit, dhe në vitin 2017 me Zahra Nemati, kampione në Lojërat para olimpike për hark.

Në rastin e Ardalan, ajo udhëtoi pas ndërhyrjes së gjykatës iraniane. Ligji parashikon se vetëm gjykata, në raste emergjente, mund të përmbysë vendimin e bashkëshortëve për këtë pjesë. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!