Trajneri i mbijeton atakut të zemrës në fushë

schedule13:00 - 22 Korrik, 2019

schedule 13:00 - 22 Korrik, 2019

Një tragjedi futbolli u shmang në Rumani. Trajneri i Dinamos së Bukureshtit u godit nga infarkti gjatë një ndeshjeje të kampionatit, por për fat mbijetoi në spital.

Kampionati nisi shpejt, dhe për fat të keq, jo ashtu siç duhet.

Dinamo e Bukureshtit po luante në stadiumin e saj ndaj Universitateas së Krajovës, në javën e dytë të Ligës së Parë të Rumanisë, dhe po mundej, diçka që ndoshta ishte e tepërt për trajnerin e saj.

Euxhen Nagoe nisi të ndihej keq në stol, kërkoi t’i sillnin ujë, dhe më pas mori një goditje të fortë.

Ai pati një atak ne zemër, dhe menjëherë për të u bë gati ambulanca, që detyrimisht ndodhej në stadium.

Pasi iu dha një ndihmë e shpejtë në vend, Nagoe u dërgua menjëherë për në spital, ku u mor në kontroll nga mjekët, dhe për fat iu shmang më të keqes.

Përse 51-vjeçari arriti derisa të rrezikonte jetën, ndërsa ka vetëm 1 muaj në detyrë?

Dinamo e ka nisur keq kampionatin, me dy humbje radhazi, duke u ndodhur në vend të fundit, pa asnjë gol të shënuar, dhe me 7 rrjeta të pësuara.

Presioni është shumë i madh nga tifozët, të cilët kërkojnë që Nagoe të japë dorëheqjen, dhe të kthehet favoriti i tyre, ish-trajneri Redniç.

“Ishim shumë pranë një tragjedie”, – u shpreh presidenti i Dinamos, Florin Prunea, – nuk arrij ta kuptoj nivelin e urrejtjes që ekziston në këtë klub. Nuk mund ta besoj, pasi më duket e pamundur që të jetë kështu, dhe jemi në pikën e shpërthimit”.

U bënë vite që Dinamo e Bukureshtit është larg lavdisë së dikurshme, pasi klubi që ka dalë 18 herë kampion i Rumanisë, dhe ka fituar 13 kupa, ka 12 vjet që nuk fiton titullin./ABC News Albania 24/7