Trajneri Gega, shumë i kënaqur me Partizanin në Korçë

schedule14:40 - 26 Janar, 2019

schedule 14:40 - 26 Janar, 2019

Trajneri i Partizanit, Skënder Gega, është i kënaqur me fitoren në Korçë, ndërsa diskuton shanset e ekipit të tij për titull. Esat Mala mbetet lojtar vendimtar për kryeqytetasit

Nuk mund të dyshohet se këtë fitore e priste si ujët e paktë. Edhe pse objektivi i vetëm është titulli, sërish trajneri Skënder Gega e donte një fitore ndaj Skënderbeut, dhe padyshim që u lumturua shumë, aq më tepër që u arrit në Korçë. Kryeqytetasit kishin dy vjet pa suksese me kampionët, ndërsa goli i Malës i dha qetësinë në krye, si dhe duket se e largoi shumë Skënderbeun nga pretendimet për të mbrojtur titullin. Sidoqoftë, Gega nuk është një trajner që entuziazmohet para kohe. Jo vetëm kaq, por trajneri nuk ndan mendimin se Skënderbeu tashmë është pa shpresë.

Partizani nuk doli pa pasoja nga Korça. Ardit Hila u dëmtua duke nxjerrë shpatullën dhe do të mungojë ndoshta 4 javë, po ashtu tifozët janë ende të shqetësuar që ekipi vazhdon të fitojë minimalisht, duke shënuar vetëm nga një gol. Po ashtu, lojtari i rëndësishëm Lorenc Trashi nuk do të luajë në ndeshjen tjetër të Superligës ndaj Kamzës, pasi doli me të kuq. Gjithsesi, Gega nuk duket i shqetësuar. Autori i golit, Esat Mala, është padyshim një ndër protagonistët e sezonit. Ai ka shënuar katër herë, dhe të gjitha kanë qenë rrjeta me peshë, si ndaj Kukësit, Tiranës, Luftëtarit në Gjirokastër dhe tani Skënderbeut. Tri fitore e një barazim ka marrë Partizani nga golat e lojtarit ofensiv që, ndoshta, në verë mund të largohet nga Superliga./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!