Trajçe: Rrezik për koronavirus, restorantet në Shqipëri tregtojnë mishin e kafshëve të egra pa kontroll

schedule09:51 - 17 Qershor, 2020

schedule 09:51 - 17 Qershor, 2020

Disa prej restoranteve në Shqipëri ofrojnë mish nga kafshët e egra të cilat janë gjuajtur në mënyrë të paligjshme që është “jashtë kontrollit” në vend.

Për të folur në lidhje me këtë fakt shqetësues ishte i ftuar në emisionin ABC-ja e Mëngjesit me gazetarin Enkel Demi, Aleksander Trajçe, drejtor ekzekutiv i PPNEA (shoqata e ruajtjes dhe mbrojtjes se mjedisit natyror në Shqipëri).

Tepër shqetësues mbetet fakti se edhe pse të dhënat më të fundit nga shkenca paralajmëruan se Koronavirusi mund të jetë përhapur pikërisht nga bota e egër, nuk ka frenuar gjuetarët e paligjshëm.

Arinjtë, majmunët dhe zogjtë grabitqarë janë ndër kafshët e gjalla që shiten në vendet e njohura të tregut online në Shqipëri, duke ngritur frikë për mbijetesën e disa specieve në vend.

LEXO edhe: Prestigjiozja britanike: Restoranti shqiptar shërben mish ariu, tregti e paligjshme e jetës së egër

Sipas Trajces, ata që zhvillojnë gjuetinë e paligjshme janë edhe persona me poste në administratën shtetërore që shfrytëzojnë postin për gjuetinë të pashqetësuar.

Trajce deklaroi gjithashtu se mishi i kafshëve të egra i tregtuar në restorantet shqiptare, është i pakontrolluar, mund të jetë i importuar, dhe mund të ketë qëndruar prej vitesh në ambiente frigoriferike.

Biseda e plotë:

Enkel Demi: Në restorante të ndryshme vazhdon të gatuhen kafshë të egra që do të thotë se gjuetia e tyre ka vazhduar.

Aleksander Trajçe: Periudha e karantinës që duket se solli një periudhë të mirë për kafshët pasi pasuroi faunën, solli edhe aktivitetin e keqbërësve ndaj tyre pasi u shfrytëzua kjo periudhë dhe mungesë kontrolli, sidomos në zonat e thella malore për të vazhduar me gjuetinë  paligjshme. Kjo gjë u përdor për të furnizuar restorante të ndryshme në qytete të ndryshme, me mish të egër për t’iu servirur qytetarëve.

Enkel Demi: Ju nuk është se keni bërë një hulumtim të madh, thjesht keni kërkuar në rrjete sociale dhe keni publikuar menutë e restoranteve dhe fotot e gatimeve me kafshë të egra, që do të thotë se ka në qarkullim kafshë të egra.

Aleksander Trajçe: Po, gjithkush mund t futet në rrjetet sociale dhe të gjej publikime të tilla të reklamuara pa pikën  e problemit dhe pa asnjë pasojë nga autoritetet. Natyrisht ky nuk është i vetmi veprim që ne kemi ndërmarrë. Ne kemi patur raportime dhe verifikime në terren në disa raste dhe kemi parë se ky është një fenomen tepër i përhapur, ka vende të ndryshme në gjithë vendin që tregtojnë mish të egër.

Enkel Demi: Ju dyshoni se produktet e tilla mbahen në frigorifer për vite të tëra dhe pastaj shërbehet?

Aleksander Trajçe: Po, jemi në një periudhë që e dimë shumë mirë si diskutohet përhapja e koronavirusit, që dyshohet fuqimisht se mund të ketë patur prejardhje nga bota e egër e kafshëve dhe nga një konsum i pakujdesshëm i saj diku në Kinë. Nuk është rast i vetëm që një konsum i pakontrolluar i faunës së egër apo një konsum i paverifikuar nga ana veterinare sjell pasoja të tilla për shëndetin njerëzor. Mjafton të përmendim ebolan në Afrikë.

Enkel Demi: Ju keni publikuar një video e përkthyer në shqip ku tregoni për një treg klandestinë të kafshëve të egra ku Shqipëria nuk është e paprekur..?

Aleksander Trajçe: Po, në fakt është një shqetësim që është ngritur fillimisht nga ne dhe më tej është përshkallëzuar nga organizata ndërkombëtare “4 putrat” dhe ata kanë bërë të njëjtin kërkim me studim të thjeshtë në rrjetet sociale, dhe është verifikuar raste të ndryshme të shitjes së kafshëve apo shpendëve të egra, që janë të mbrojtura nga ligji, siç është ariu, shqiponja, bufi etj. për fat të mirë nga korriku i vitit të kaluar, tregtimi i tyre ka hyrë në Kodin Penal.

Enkel Demi: Një nga pjatat më popullore është ajo e derrit të egër, e lepurit apo të tjera, a ka të ngjarë se këto janë të importuara?

Aleksander Trajçe: Natyrisht që për secilin rast duhet bërë verifikimi përkatës. Momentalisht Shqipëria është në regjimin  moratoriumit, që do të thotë se çdo kafshë e egër e ardhur nga Shqipëria tregtohet në mënyrë të paligjshme. Megjithatë nuk përjashtohet rasti që të importohet nga vende të tjera ku gjuetia e derrit të egër dhe e lepurit të jetë e lejuar. Megjithatë duhen kontrolle strikte veterinare për të verifikuar këtë.

Enkel Demi: Përpara disa ditësh një nga titullarët më të lartë të Ministrisë së Brendshme, bëri publike në rrjete sociale një fundjavë të tij, në malësitë e Mirditës, ku ai kishte qenë me miqtë e tij dhe kishte dalë për gjueti, pra që nuk respektonte moratoriumin. Nuk ka asnjë reagim nga askush, më duket  një sjellje shumë arrogante dhe sfiduese që ta deklarosh këtë, sfidë ndaj kujt?

Aleksander Trajçe: Është e vërtetë është një shqetësim i madh i yni, e kemi ngritur bashkë me ata gjuetarë të dashamirës. Dëmet më të mëdha bëhen nga ata persona që gjuajnë në mënyrë të paligjshme, nga indikacionet që ne kemi, janë persona që kanë poste të larta në administratë dhe e shfrytëzojnë këtë post për të zhvilluar gjuetinë e paligjshme të pashqetësuar. Ne kemi ngritur çështjen në Ministrinë e Turizmit për të patur një platformë në menaxhimin e gjuetisë së qëndrueshme.

Enkel Demi: Sa e rrezikuar është fauna, sepse gjatë pandemisë kemi parë se kemi një lloj shfaqje të kafshëve të egra.

Aleksander Trajçe: Është e vërtetë, periudha e qetësisë që u vendos ka patur zhvillime pozitive të zhvillimit të faunës. Na janë raportuar raste të ndryshme që njerëzit kanë parë kafshë të ndryshme të rralla në mes të ditës. Ai limitimi i lëvizjes njerëzore bëri që të vihet në pah fauna, jo se nuk ka qenë aty. Thjesht ka përdorur mekanizma adaptues ndaj shqetësimit njerëzor për tu shmangur. Ku pozitivistet që u transmetua është përdorur nga persona të ndryshëm për gjueti të paligjshme dhe të pashqetësuar./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!