Një ngjarje tragjike është regjistruar pasditen e së premtes në fshatin Labinot-Fushë të Elbasanit.
Dy fëmijë të mitur, vëllezër, kanë humbur jetën pasi janë mbytur në lumin Shkumbin.
Dy vëllezërit të moshës 7 dhe 9 vjeç po ruanin bagëtitë së bashku me një të afërm të tyre. Sipas informacioneve paraprake, në një moment fëmijët janë larguar për t’u freskuar në ujërat e lumit, por rrjedha e fortë i ka përfshirë dhe i ka tërhequr në thellësi.
Forcat e emergjencës dhe banorë të zonës janë vënë menjëherë në kërkim të tyre, por përpjekjet kanë rezultuar të kota. Trupat e pajetë të dy vëllezërve janë gjetur pas disa minutash kërkimesh, disa metra më poshtë nga vendi ku dyshohet se kanë hyrë në lumë për t’u larë.
Në vendin e ngjarjes forca të shumta policie dhe grupi hetimor, po punojnë për sqarimin e rrethanave.
Sipas një njoftimi zyrtar nga policia, dyshohet se bëhet fjalë për një mbytje aksidentale, ndërsa trupat e fëmijëve janë transportuar për ekspertizë mjeko-ligjore.
/abcnews.al/