Mbrëmë në mesnatë 14 trupa të pajetë u dërguan për autopsi në Institutin për mjekësi ligjore në Shkup pas tragjedisë në Tetovë. Familjarët shkuan t’i identifikojnë të afërmit e tyre që ndërruan jetë në spitalin Covid në Tetovë.
“Unë jam miku, ai është dhëndri. Identifikimi do të bëhet në bazë të ADN-së. Nuk do të mund ta shihni xhenazen se nuk lënë me pa” tha njëri prej familjarëve.
Një prej viktimave sot kishte planifikuar që të dilte nga spitali, thotë familjari i tij. Sipas tij tragjedia edhe më e madhe është pasi dy fëmijë njëra 11 tjetra 6 vjeçare mbetën pa baba.
“35 vjeçar ka qenë. Sot duhej të dilte prej spitalit. Me maska dhe të gjitha gjërat që kishte nevojë për frymëmarrje i kemi ble, t’ja sigurojmë që ta vazhdojë jetën por Zoti ka desht ashtu”.
Për shkak se disa prej tyre mund nuk mund të identifikohen familjarëve të tyre u merret mostër për të bërë identifikimin e të vdekurit. Ata nuk dinë asgjë për të afërmit e tyre. Njëri prej tyre thotë se nuk di asgjë për nënën e tij.
“Kam ardhur të shoh a është gjallë a nuk janë gjallë. Nuk kam asnjë informacion. Jo nuk kemi asnjë informacion. Ta shohim se çfarë do te ketë dhe çfarë do të bëjmë” tha një tjetër.
Ndërsa një tjetër i jep kurajë shokut të tij. “Kjo është tragjedi, nuk kemi familjar por kemi shoqëri”.
Ndërkohë drejtori i mjekësisë ligjore, Aleksandar Stankov, tha për TV21 se i gjithë instituti aktualisht është duke punuar në rastin e pacientëve të vdekur nga spitali Covid në Tetovë. I gjithë identifikimi duhet të përfundojë deri nesër.
“Mbrëmë u sollën 14 trupa të të vdekurve nga covid Qendra e Tetovës, u formuan ekipet menjëherë, filluam punën, 4 autopsi janë kryer deri më tani, ekipet janë duke punuar edhe në autopsinë e 10 personave të tjerë.
Ne planifikojmë t’i përfundojmë ato sot, nëse do të jetë gjithçka në rregull dhe në qoftë se i marrim të gjitha gjërat që janë të nevojshme dhe në qoftë se ka nevojë të bëjmë analizat ADN do të mundet i gjithë identifikimi duhet të përfundojë deri nesër, më së voni deri të shtunën.
Analizat ADN janë duke u bërë atyre personave që u kemi marrë material por do të na duhet material për krahasim prej familjarëve të tyre”, u shpreh Aleksandar Stankov – drejtor i Mjekësisë Ligjore në Shkup./ RTV21