Tragjedia në Shkodër/ Prokuroria: Nëna u hodh në lumë bashkë me fëmijët për shkak të dhunës psikologjike të bashkëshortit

schedule18:19 - 6 Maj, 2024

schedule 18:19 - 6 Maj, 2024

Pak orë pasi u përcoll në banesën e fundit vajza e madhe e familjes Arrazi, palombarët nxorën të pajetë nga ujërat e lumit Buna vajzën tjetër.

Trupi i 8-vjeçares u gjet rreth orës 16, ndërsa po në të njëjtin vend dyshohet se është edhe trupi i nënës Alma Arrazit dhe djalit të vogël 3-vjeçar.

Pas kërkimeve në të gjithë gjatësinë e lumit, palombarët, forcat e armatosura të ushtrisë dhe banorë të zonës u përqendruan pranë vendit të quajtur “Rrjetat e peshkatarëve”, gati 300 m larg urës së Bunës ku dyshohet se është hedhur 39-vjeçarja me 3 fëmijët. Kërkimet po kryhen aty pasi ka dyshime se trupat mund të jenë mbajtur nga rrjetat që përdorin peshkatarët.

Nga vendngjarja, ministri i brendshëm Taulant Balla u kërkoi grave dhe vajzave të mos e tolerojnë dhunën dhe të denoncojnë autorët.

Më herët gjatë të hënës, nga ura ku dyshohet se Alma Arrazi i dha fund jetës së saj dhe të fëmijëve, banorë të Shkodrës hodhën lule.

Ndërkohë, Ergys Arrazi, i cili  prej të dielës ndodhet pas hekurave i dyshuar për shkaktim të vetëvrasjes së 4 anëtareve të familjes së tij, mohon që ndaj tyre të ketë ushtruar dhunë.  Humbjen e kontakteve me familjaret ai e denoncoi në datën 3 maj. Prokuroria e Shkodrës përmes një njoftimi zyrtar mbi këtë ngjarje, të shpërndarë pasditen e së hënës shprehet se Alma Arrazi është takuar me kunatën e saj në një lokal ne lagjen “Iliria” në Shkodër, pasditen e datës 2 maj. Më pas sipas dëshmisë se kunatës, rreth orës 20.10 , gruaja ka dalë nga lokali dhe bashkë me fëmijët e saj ka marrë rrugën drejt Urës së Bunës. Sipas prokurorisë, në datën 4 maj është gjetur trupi i pajetë i vajzës 9-vjeçare, në te cilin nuk kishte shenja dhune. Menjëherë më pas është ushtruar kontroll në banesën e Ergys Arrazit, por, sipas prokurorisë, nuk është gjetur asgjë e kundraligjshme.

Prokuroria e Shkodrës thotë se deri në këtë faze janë krijuar dyshime të arsyeshme bazuar në prova se shtetasi Ergys Arrazi, si rrjedhojë e dhunës psikologjike të vazhdueshme ndaj bashkëshortes së tij, shfaqur në formën e ofendimeve të vazhdueshme dhe tradhtisë bashkëshortore, duke prekur rëndë dinjitetin e saj, ka shkaktuar vetëvrasjen e saj, cila në gjendje të rënduar psikologjike dyshohet të jetë hedhur në lum bashkë me tre fëmijët e mitur.

Në këto kushte është ndaluar Erdgys Arrazi, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shkaktimi i vetëvrasjes”. /abcnews.al