Tragjedia në Koçan, familjarët rrëfejnë momentet tronditëse pas humbjes së të afërmve

schedule11:39 - 17 Mars, 2025

schedule 11:39 - 17 Mars, 2025

Të paktën 59 persona humbën jetën dhe qindra të tjerë u plagosën, pasi zjarri përfshiu një klub nate në Koçan në Maqedoninë e Veriut. Qeveria në RMV shpalli shtatë ditë zie kombëtare. Lidhur me këtë tragjedi familjarët kanë përshkruar momentet dramatike të përjetuara, pas lajmit për të afërmit e tyre që kanë qenë të pranishëm në diskotekë në momentin kur ka rënë zjarri.

Marikha Taseva ka rrëfyer se ishte në diskotekë me motrën e saj, ndërsa tregon se motra nuk arriti t’i mbijetojë plagëve të shkaktuara nga flakët. “Më ka vdekur motra, unë shpëtova, ajo jo”.

Në momentin kur ra zjarri, të gjithë filluan të bërtisnin, “dilni jashtë”, ka rrëfyer 19-vjeçarja.

Më tej ajo është shprehur: “Nuk e di se si përfundova në tokë, nuk munda të ngrihesha dhe në ato momente filluan të më shkelnin njerëzit”, tregoi Taseva.

Sipas raportimeve të mediave vendase, diskoteka, kishte vetëm një dalje të përshtatshme.

Një tjetër rrëfim prekës vjen nga një prind, i cili tregon se ka humbur fëmijën e tij të vetëm.

“Unë kam vdekur, kam humbur gjithçka. Pas kësaj tragjedie përse jam ende gjallë. Kisha një fëmijë dhe atë e humbi”, rrëfen mes lotësh babai.

Lidhur me këtë ngjarje, policia ka arrestuar dhjetëra persona, ndërsa presidentja e Maqedonisë së Veriut Gordana Siljanovska, bëri thirrje që përgjegjësit të vendosen para drejtësisë.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!