Ditën e martë Britani njoftoi se planifikon të fusë në fuqi legjislacionin e ri për të parandaluar emigrantët që kalojnë Kanalin Anglez të mbeten në Britani. Kryeministri Rishi Sunak njoftoi një strategji të re me pesë pika për trajtimin e imigracionit të paligjshëm, duke përfshirë planet për të përshpejtuar kthimin e azilkërkuesve shqiptarë dhe njoftoi se është dakordësuar marrëveshja me qeverinë shqiptare.
Gazetarja Mirela Shtëmbari në një lidhje të drejtpërdrejtë në Abc, u shpreh se ngjarja e sotme (mbytja e varkës me migrantë në ujërat angleze) do t’i përshpejtojë planet e kryeministrit britanik.
Shtëmbari: Rishi Sunak është shumë kategorik dhe i vendosur në ato që ka thënë. Menjëherë me fillimin e viti do fillojnë masat e rrepta për kthimin e emigrantëve shqiptarë. Do punësohen më shumë oficerë emigracioni për të shqyrtuar çështjet e mbledhura, do hiqen nga hotelet dhe do futen nëpër qendra studentore. Ka një reagim nga qytetarët që emigrantët kanë mbipopulluar hotelet. Kjo që ndodhi sot do t’i japë më shumë forcë dhe arsye për ta çuar deri në fund planin e tij.
Ditën e sotme, një gomone me migrantë u përmbys në Kanalin Anglez. Katër persona humbën jetën ndërsa 43 u shpëtuan. Mes të shpëtuarve ishte dhe Denisi me origjinë shqiptare. Migrantët ishin kryesisht nga Afganistani dhe Irani.