Tragjedia në familjen shqiptare në Australi

schedule21:57 - 26 Korrik, 2019

schedule 21:57 - 26 Korrik, 2019

Një ngjarje e rëndë tronditi këtë javë opinionin publik në Australi e Shqipëri, por jo vetëm.Mbrëmjen e së dielës, Petrit Lekaj dhe vajza e tij Sabrina Lekaj u gjetën të përgjakur në makinën e kësaj të fundit. 20-vjeçarja u gjet e pajetë, e vrarë nga disa goditje me thikë. Babai i saj 49-vjeçar, u gjet me plagë në bark dhe u dërgua në spital, në gjendje kritike.

Ngjarja e rëndë ndodhi në Kidman Park, në Adelaide të Australisë, aty ku jetonte familja shqiptare.

Një orë përpara se të gjendeshin në automjetin luksoz të 20-vjeçares, nëna e saj kishte ngritur alarmin tek policia, e shqetësuar sepse nuk po i gjente.

Oficerët i gjetën ata rreth orës 23:30, 250 metra nga shtëpia ku jetonin.

I dyshuari kryesor Petrit Lekaj

Më pak se dy ditë nga ngjarja e rëndë, autoritetet policore australiane kishin një të dyshuar kryesor. Ai ishte pikërisht babai i Sabrinës, 49-vjeçari Petrit Lekaj.

Sipas policisë, ai dyshohet se pasi vrau të bijën, tentoi të vriste veten duke u vetëgoditur me thikë në bark. Babai i dy fëmijëve u njoh këtë të premte me akuzën nga spitali, ku qëndron nën kujdesin mjekësor dhe në ruajtje nga policie.

Arsyet pas vrasjes makabre

Zyrtarisht autoritetet australiane nuk kanë dhënë një shkak për ngjarjen e rëndë. Mediat atje, përgjatë gjithë javës kanë përcjellë rrëfime të ndryshme të miqve të 20-vjeçares, të cilët pretendojnë se e reja dhe familja e saj kishin përplasje të herë pas hershme.

Mbrëmjen kur ndodhi ngjarja e rëndë, Sabrina kishte dalë për të festuar përfundimin e provimeve. Në media aludohet se shkak mund të jetë bërë një zënkë mes saj dhe të atit për faktin që ajo kishte dalë.

Përpara vdekjes së saj, Sabrina u kishte dërguar mesazhe miqve të saj më të ngushtë, ku i tregonte për jetën brenda mureve të shtëpisë së familjes Lekaj në Adelaide.

Ajo u kishte thënë miqve që kishte një marrëdhënie të paqëndrueshme me prindërit dhe se ata nuk donin që ajo të largohej nga shtëpia për të jetuar vetëm.

Miqtë e Sabrinës thanë gjithashtu se nuk i kishin takuar kurrë prindërit Petrit dhe Romina Lekaj dhe se nuk u lejohej që të shkonin për të fjetur tek shtëpia e saj.

Ata pretendojnë se 20-vjeçarja e kishte të ndaluar që të kishte të dashur, apo që të fliste në telefon gjatë natës, kur duhet të mësonte.

“Ajo thoshte se i ati zihej me të shpesh për gjëra të vogla dhe se ai përpiqej që të kontrollonte jetën e saj”, tha një mikeshë e saj për Daily Mail Australia.

20-vjeçarja, studente mjekësie dhe pianiste e talentuar

Natën e ngjarjes së rëndë, Sabrina kishte dalë të festonte përfundimin e një periudhe intensive provimesh. 20-vjeçarja ishte studente mjekësie. Ajo ishte pranuar në Universitetin e Australisë Jugore, pasi kishte dalë shkëlqyeshëm në provime. Sabrina ishte gjithashtu pianiste mjaft e talentuar.

Familja Lekaj

Petrit dhe Romina Lekaj kishin emigruar drejt Australisë gjatë viteve ’90. Ata janë me origjinë nga qyteti i Shkodrës dhe punonin si agjentë të pronave të patundshme. Mediat shkruajnë se së fundmi kishin shitur shtëpinë e tyre me 3 dhoma gjumi, për një shumë prej 590 mijë dollarësh. Makinën luksoze Mercedes Benz që kishte 20-vjeçarja, ia kishte blerë dhuratë i ati pak kohë më parë.

Petrit Lekaj njihet me akuzën

Këtë të premte, Petrit Lekaj u njoh me akuzën e vrasjes së vajzës së tij Sabrina. Ai u përball me gjykatën nga shtrati i spitalit ku ndodhet. Avokati i 49-vjeçarit la të kuptohej se në javët e ardhshme klienti i tij mund të aplikojë për liri me kusht, në këmbim të garancisë pasurore.

Orët e fundit të Sabrinës

E shtunë, 20 Korrik: Sabrina shkon tek shtëpia e mikeshës së saj Katie Valstar për t’u bërë gati për të dalë. Dyshja shkojnë në një bar dhe kthehen në shtëpinë e Katie-t në orët e para të mëngjesit.

E diel, 21 Korrik: Në orën 13:00 Sabrina niset për në shtëpi duke i thënë Katie-t: Të dua shumë. Do të të shkruaj kur të arrij në shtëpi. Katie nuk dëgjoi më asgjë prej mikeshës së saj.

Në 22:30 policia mori një telefonatë nga Romina Lekaj, e cila ishte shqetësuar për bashkëshortin dhe vajzën, të cilët ishin zhdukur.

Në 23:30 oficerët i gjetën babë e bijë në Mercedes-in e 20-vjeçares, vetëm 250 metra larg nga shtëpia e tyre. Sabrina ishte e vdekur, ndërsa i ati i plagosur.

E martë, 23 Korrik: 49-vjeçari Petrit Lekaj akuzohet për vrasjen e vajzës së tij. //tvklan.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!