Në një lidhje direkte me “Radari Informativ” në ABC gazetari Isen Sali ka treguar detaje të reja nga tragjedia në Bullgari ku humbën jetën 46 qytetarë të Maqedonisë së Veriut. Sipas tij janë disa teza rreth shkakut që mund të ketë çuar në tragjedinë në të cilën humbën jetën edhe 11 fëmijë.
Shkak për incidentin deri më tani mund të jetë bërë një gabim njerëzor i shoferit ose sinjalistika jo e mirë në rrugë. Sipas gazetarit ka shumë gjasë që të jetë kjo e fundit pasi është konstatuar një shenjë që tregon praninë e një ishulli trafiku. Kjo tabelë paraprakisht dyshohet se nuk ka qenë e vendosur në lartësinë e duhur.
“Ishte vendosur më lart seç duhet. Versioni bazohet në pamjet nga droni.”
Problemi me tabelën rrugore dyshohet se e ka shpërqendruar shoferin.
“Nga habia ai ka shkuar sa majtas-djathtas e ka goditur mbrojtëset anësore dhe pastaj autobusi është përfshirë nga flakët.”
Po ashtu në automjet ndodheshin dy fuçi me karburant dhe pasi pjesa e parë e autobusit është përfshirë nga flakët, dy fuçitë në pjesën e pasme kanë bërë që flaka të përhapej më shpejt.
Sa i përket shtatë personave të lënduar, Sali thonë se veç njërit që ka marrë fraktura, të tjerët kanë marrë vetëm lëndime të lehta. Në vendin e ngjarjes është dëgjuar edhe një shpërthim, por bëhet fjalë për shpërthimin e një gome, shton më tej gazetari.
Gjithashtu, janë hedhur poshtë edhe dyshimet fillestare se autobusi nuk ka qenë në gjendje optimale teknike.
“Agjencia nuk ka asnjë problem, ka vetëm katër padi për mosrespektim protokollesh kundër pandemisë. Agjencia dhe autobusët e saj i plotësojnë të gjitha kushtet.” /abcnews.al/

