Kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiç ka caktuar një seancë të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurisë Kombëtare për të premten, më 3 janar, pas ngjarjes tragjike në Cetinje.
Gjatë seancës, Këshilli do të fokusohet në sfidat kryesore në zbulimin dhe sekuestrimin e armëve pa leje, si dhe do të propozojë një sërë masash që synojnë luftimin e krimit dhe mbrojtjen e qytetarëve.
Në agjendë do të përfshihet edhe një nismë për zbatimin e veprimeve urgjente në të gjitha qytetet e vendit”, është thënë në një njoftim të Qeverisë, shkruajnë mediat lokale.
Siç është thënë më tej, do të shqyrtohet edhe niveli aktual i zbatimit të dispozitave ligjore, me theks të veçantë në domosdoshmërinë e miratimit të Ligjit të ri për Armët.
Dymbëdhjetë persona, përfshirë dy fëmijë, janë vrarë dhe katër të tjerë janë plagosur pasditen e 1 janarit në Cetinje të Malit të Zi. I dyshuari për vrasje të shumëfishtë dhe plagosje, Aco Martinoviç, kreu vetëvrasje.
Vrasjet kanë ndodhur në pesë zona të ndryshme. Ministri i Punëve të Brendshme, Danillo Sharanoviç, u shpreh në një konferencë të jashtëzakonshme në mesnatë se motivi i vrasjeve është i panjohur.