Një tjetër ngjarje dramatike ka tronditur Mesdheun qendror, ku dyshohet se të paktën 116 emigrantë kanë humbur jetën pas fundosjes së varkes me të cilin po udhëtonin drejt Europës. Informacioni është konfirmuar nga organizata humanitare Sea Watch.
Sipas të dhënave paraprake, nga kjo tragjedi ka shpëtuar vetëm një person, i cili është gjetur dhe shpëtuar nga një anije peshkimi nga Tunizia. Mjeti lundrues ishte nisur të enjten nga brigjet e Libisë, por pak pas largimit kishte dërguar një sinjal emergjence SOS.
Avioni i vëzhgimit Seabird, i angazhuar në monitorimin e itinerareve të emigrantëve në Mesdhe, nuk arriti të gjurmonte mjetin, çka ngriti dyshime të hershme se anija mund të ishte mbytur.
Ndërkohë, organizata Alarm Phone ka bërë një rindërtim të detajuar të ngjarjes, duke sqaruar se mbytja dyshohet të ketë ndodhur gjatë natës së 19 dhjetorit. Sipas tyre, rreth orës 14:00, organizata u informua për një varkë që ishte nisur nga qyteti libian Zuwara, me 117 persona në bord. Edhe pse mungonte një koordinatë GPS, Alarm Phone njoftoi menjëherë rojën bregdetare dhe organizatat joqeveritare përkatëse, ndërsa gjatë gjithë ditës u tentua pa sukses vendosja e kontaktit përmes një telefoni satelitor.
Pas dy ditësh, në mbrëmjen e 21 dhjetorit, Alarm Phone u informua se peshkatarë tunizianë kishin gjetur një burrë të vetëm në një varkë druri. Ai ka deklaruar se ishte nisur nga Zuwara dy ditë më parë dhe se ishte i vetmi i mbijetuar nga udhëtimi.Sipas dëshmisë së tij, vetëm disa orë pas nisjes, kushtet atmosferike u përkeqësuan ndjeshëm, me erëra që arritën shpejtësinë deri në 40 kilometra në orë.
Vitet e fundit, qindra njerëz kanë humbur jetën në Detin Mesdhe gjatë përpjekjeve për të mbërritur në Evropë me mjete të pasigurta, duke shtuar thirrjet e organizatave humanitare për bashkërendim më të fortë të operacioneve të shpëtimit dhe krijimin e rrugëve më të sigurta te migrimit.

