Athina ishte kthyer në shtëpinë e tij të dytë.
Gjithsesi, për fat të keq, kryeqyteti i Greqisë u bë edhe “arkivoli” për futbollistin anglez, Xhorxh Baldok.
Mbrojtësi 31-vjeçar u gjet i vdekur në pishinën e shtëpisë së tij në lagjen e pasur Glifadha në Athinë, diçka që ishte lajm I parë në mediat greke, dhe shkaktoi një tronditje të madhe në futbollin europian dhe atë botëror.
Për momentin, nuk dihen shkaqet e vdekjes, pra nëse ishte problem zemre, apo ndoshta mbytje, apo edhe diçka më e rëndë.
Për këtë po zhvillohen hetime, që pritet të zbulojnë arsyet e shuarjes së një lojtari kaq të ri.
Karriera e Baldokut u zhvillua kryesisht në Angli, ku lindi në 1993 në Bakingem.
Ai luajti për 7 vjet me fanelën e Shefild Junajtidit, nga 2017 deri sezonin e kaluar.
Më pas kaloi tek Panathinaikos, ku pritej të vazhdonte jetën në futboll, ndonëse nuk qe e thënë.
Me origjinë greke nga njëra prej gjysheve, Baldok përfaqësoi kombëtaren e Greqisë për 12 ndeshje.


