Të paktën 257 persona kanë humbur jetën pasi një avion ushtarak u rrëzuar në kryeqytetin e Algjerisë. Bilanci përfundimtar është konfirmuar nga ministria e mbrojtjes. Incidenti tragjik ndodhi vetëm pak minuta pasi avioni kishte filluar fluturimin nga baza ajrore Boufarik. Shumica e viktimave janë ushtarë dhe familjarët e tyre, sipas autoriteteve të Algjerisë. Gjithashtu mes tyre janë 10 pjestarët e bordit, si dhe 26 anëtarë të Frontit Polisario, që kërkon pavarësinë nga Maroku të Saharasë Perëndimore dhe mbështetet nga Algjeria.
Mjeti fluturues do të transportonte mbi 200 udhëtarë për në qytetin Bechar në jug të vendit. Televizionet e Algjerisë kanë publikuar pamjet e tragjedisë, ku shikohet qartë avioni i rrëzuar dhe retë e zeza të tymit.
Mediat raportojnë se 14 ambulanca mbërritën menjëherë në vendngjarje dhe dërguan shumë persona në spital. Shkaqet e këtij incidenti të tmerrshëm nuk dihen. Autoritetet dyshojnë për ndonjë defekt të mundshëm të mjetit fluturues. Shefi I stafit të ushtrisë ka urdhëruar nisjen e një hetimi për zbuluar shkaqet e rrëzimit.
Ndërkohë, ky është incidenti ajror më vdekjeprurësi që prej korrikut të 2014, kur 298 persona në bordin e një avioni humbën jetën, pasi mjeti fluturues u rrëzua në lindje të Ukrainës. Ky nuk ishte incidenti I parë ajror në Algjeri. Para 4 vitesh, përsëri një avion që transportonte personelin ushtarak dhe familjarët e tyre u rrëzua duke vrarë 77 persona. /abcnews.al